Lajme

Rusia mund të përdorë Sirinë për të shantazhuar Perëndimin


Diplomatët perëndimorë i druhen faktit se Rusia mund të përdorë ndihmën humanitare siriane si një mjet pazaresh në Ukrainë.

Lajmi u bë i ditur nga e përditshmja amerikane “New York Times”, duke cituar burimet e saj.

Vetëm një rrugë mbetet e hapur për autokolonat ndërkombëtare që shpërndajnë ushqim, ujë dhe ndihma të tjera për më shumë se një milion sirianë të rrethuar nga lufta civile.

Tani, paralajmërojnë zyrtarët, Rusia mund të përpiqet ta mbyllë atë ose ta përdorë atë si një mjet pazaresh me fuqitë perëndimore në luftën në Ukrainë.

Diplomatët dhe ekspertët kanë thënë se mbyllja e korridorit në pikën kufitare Bab el-Hawa me Turqinë pothuajse me siguri do të detyrojë mijëra njerëz të largohen nga Siria.

Kjo vetëm do të përkeqësojë krizën e refugjatëve në Evropë dhe Lindjen e Mesme, e konsideruar tashmë më e madhja në botë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së, në të cilin Rusia ka një veto të fuqishme, do të votojë në korrik nëse do të lihet hapur rruga e ndihmës.

Diplomatët rusë thonë se Moska “ende nuk ka vendosur se çfarë vendimi do të marrë”.

Megjithatë, sipas “The New York Times”, tre diplomatë të huaj thanë se Rusia dërgoi “sinjale të paqarta” në lidhje me përpjekjen për të përdorur votën.

Kjo, për të siguruar lëshime në luftën kundër Ukrainës. Se cilat janë këto sinjale nuk është specifikuar.

“Moska do të negociojë me vendet që mund të vuajnë nga një valë e re refugjatësh, për ndihmën në anashkalimin e sanksioneve”, thanë përfaqësues të paidentifikuar të Federatës Ruse për NYT-në.

Kujtojmë se imazhet e reja satelitore tregojnë se një anije mallrash ruse me grurë, mbërriti në Siri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore