Lajme

Rusia mbyll urën e Krimesë për shkak të “një emergjence”


Shpërthime thuhet se kanë goditur Urën e Kerçit që lidh gadishullin e Krimesë me Rusinë, një lidhje rrugore dhe hekurudhore e mbrojtur shumë që është ndër projektet më të rëndësishme dhe me prestigj të lartë të infrastrukturës të Kremlin-it.

Lajmi u bë i ditur nga gazeta britanike “The Guardian”, duke cituar agjencitë vendase.

Makinat që po shkonin drejt urës u ndaluan herët në mëngjes të hënën, pasi banorët raportuan se kishin dëgjuar shpërthime rreth orës 3 të mëngjesit me orën lokale.

Kreu i administratës së kontrolluar nga Rusia në Krime, Sergei Aksyonov, tha se trafiku ishte ndalur për shkak të “një situatë emergjente”.

Nëse konfirmohet dëmtimi, kjo do të jetë hera e dytë që sabotohet ura dhe goditja më e fundit e rëndësishme për prestigjin ushtarak rus.

Një shërbim traget që lidh Krimenë me Kuba-n, në rajonin rus të Krasnodar-it, është ndalur gjithashtu, njoftoi agjencia ruse e lajmeve TASS.

Moska në të kaluarën është mburrur me shtresat e mbrojtjes, duke filluar nga sistemet më të fundit të armëve deri te delfinët ushtarakë.

Por në tetor 2022, një ditë pas ditëlindjes së 70-të të Putin-it, një shpërthim masiv shkatërroi një pjesë të rrugës me destinacion Ukrainën dhe përfshiu lidhjen hekurudhore në flakë.

Ukraina fillimisht nuk e mori përsipër sulmin, por në fillim të këtij muaji, zëvendës ministrja e Mbrojtjes Hanna Maliar shënoi 500 ditë nga pushtimi i Rusisë duke pranuar në një postim në Telegram se Ukraina qëndronte pas bombardimit të kamionit “për të thyer logjistikën ruse”.

“Ura e ngushticës së Kerçit është një objekt logjistikisht i rëndësishëm”, shkroi në Twitter George Barrows, analist me Institutin për Studimin e Luftës në SHBA, pas raporteve të para të shpërthimeve në urë.

Ura ishte një projekt kryesor për Putin-in, i cili e hapi vetë atë për trafikun rrugor me bujë të madhe duke ecur me një kamion në 2018.

Ai përbëhet nga një rrugë dhe hekurudhë e veçantë, të dyja të mbështetura nga shtylla betoni, të cilat i japin rrugë një hapësire më të gjerë të mbajtur nga harqe çeliku në pikën ku kalojnë anijet midis Detit të Zi dhe Detit më të vogël Azov.

Struktura u ndërtua, me një kosto të raportuar prej 3.6 miliardë dollarë, nga një firmë që i përket Arkady Rotenberg, një aleat i ngushtë dhe ish-partner i Putin-it në xhudo.

Ura është thelbësore për furnizimin me karburant, ushqim dhe produkte të tjera në Krime, ku porti i Sevastopol-it është baza historike e flotës ruse të Detit të Zi.

Ajo u bë gjithashtu një rrugë kryesore furnizimi për forcat ruse pasi Moska pushtoi Ukrainën më 24 shkurt, duke dërguar forca nga Krimea për të kapur pjesën më të madhe të rajonit Kherson të Ukrainës jugore dhe disa nga provinca ngjitur Zaporizhzhia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore