Lajme

“Rusia e vogël”, Beogradi është bërë destinacioni i atyre që ikin nga sanksionet


“I dhashë nënës time një detyrë: mbijetoni derisa të kthehem. Dua të të përqafoj sërish, nënë”.

Në dritën e zbehtë të kafenesë, në qendrën tregtare Merkator në Beogradin e Ri, Vladimir Volokhonsky rrëfen arrestimin e tij më 5 mars pa asnjë emocion të fortë.

Por kur bëhet fjalë për familjen, po.

Aty ul sytë, vështrimi vrazhdësohet dhe zëri i dridhet, sepse i ka lënë pas të gjithë të dashurit, në Shën Petërburg.

Bleu biletë vetëm vatje për në Serbi, një nga destinacionet e pakta ku rusët mund të shkojnë pa vizë.

1 mijë e 200 kilometra larg, ai nuk ka më frikë se policia apo FSB-ja do të vijë ta kërkojë.

Në “Moskën e lirë” të vogël që po rritet me shpejtësi në Beograd që nga fillimi i luftës në Ukrainë dhe aq më tepër që nga shpallja e mobilizimit të përgjithshëm nga Kremlini, jeta e re e një opozitari ka shijen e ëmbël të një krempitë me krem.

Volokhonsky është një nga këshilltarët komunalë të tetëmbëdhjetë rretheve ruse që guxoi të kundërshtojë luftën e Putin-it, duke kërkuar edhe aktakuzë për tradhti ndaj presidentit.

Policia e ndaloi, e mori në pyetje për orë të tëra dhe më pas e liroi, as ai vetë nuk e di si.

Ndërsa një shok të tij erdhën ta merrnin deri në avion, për ta çuar në burg.

“Kur fluturimi im ishte gati të ngrihej, fillova të merrja përsëri frymë”, thotë ai.

Na çon në banesë, për të folur më qetë. Ai ulet te kompjuteri në dhomën e ndenjes, raftet janë bosh në ikje pati kohë vetëm të paketonte disa gjëra.

Por ai nuk pendohet për asgjë.

“Jeta në Rusi ishte e pamundur. Ju nuk mund të mendoni apo të thoni asgjë. Opozita nuk mund të organizohet në asnjë mënyrë. Agjentët depërtojnë në bisedat e Telegram-it për t’ju futur në kurth me identitete false dhe më pas ju akuzojnë. Vetëm nëna është dhimbja ime. Ajo është 72 vjeç, dy më shumë se Putini dhe nuk del më nga shtëpia. Ajo më shtyu të ikja, nuk e di nëse do ta shoh më ndonjëherë”.

Ndër vendet që kanë hapur dyert për valën e refugjatëve rusë, Serbia është bërë destinacioni i parë i zgjedhur nga kompanitë e teknologjisë për t’u zhvendosur, nga biznesmenë dhe profesionistët e rinj, nga mjekët dhe inxhinierët, programuesit, artistët dhe shkencëtarët në arrati larg regjimit që heq lirinë.

Ministria e Brendshme serbe nuk jep shifra zyrtare, por ato luhaten midis 50 mijë dhe 100 mijë njerëz të ardhur në muajt e fundit.

Shumë rusë kanë ikur në Kazakistan, Gjeorgji, Finlandë, Lituani.

Serbia është një destinacion më i lehtë, për shkak të gjuhës, taksave, afërsisë politike dhe kulturore.

Në aeroportin e Beogradit, të mërguarit mbërrijnë si të hutuar.

Ata zbresin me dy fluturime në ditë, nga kryeqyteti rus dhe nga Shën Petersburg.

Futen me shpejtësi në taksitë private të kontakteve që kanë gjetur para nisjes.

Janë në fillim të të njëzetave, me pulovra të mëdha, xhupa të shtrenjta, xhinse të viteve 1980, atlete, piercing dhe kapele.

Njëri prej tyre është Vladimir Bogdanovich, një inxhinier zëri në një sallë të madhe koncertesh në Moskë, i cili iku me gruan e tij fotografe kur u thirr për të luftuar.

“Unë e dua vendin tim, por jo politikën”, shpjegon ai, “kur Putin do të largohet ne do të kthehemi. Unë jam kundër luftës, nuk dua të vdes. Tani jemi të sigurt këtu, shitëm makinën që të kishim para për t’u larguar”.

Kremlini është përpjekur të ndalojë këtë ikje masive duke i përjashtuar profesionistët e IT-së nga listat e mobilizimit dhe duke ofruar lehtësime tatimore, kredi dhe hipoteka të përballueshme për punëtorët e sektorit, por pakkush u beson premtimeve.

“Miqtë e mi e kishin marrë tashmë letrën e thirrjes. Çdo ditë kontrolloja kutinë postare derisa vendosëm të arratiseshim”, vazhdon të tregojë.

Shumë kompani të mëdha teknologjike ruse, duke filluar me Yandex Nv dhe kompani të tjera të listuara në bursë si Luxoft Inc., një zhvillues softuerësh dhe Wargaming, një projektues lojërash, kanë zhvendosur shumicën e stafit të tyre në Serbi.

Efekti ka qenë shpërthyes me qiratë e shtëpive pothuajse të dyfishuara, veçanërisht në lagjet Dorcol dhe Vraca të kryeqytetit, por jo vetëm.

Edhe Vladit, si shumë të arratisurve të tjerë, u janë bllokuar llogaritë bankare, por në Beograd ai tashmë është organizuar.

“B&B paguhet nga Anglia, ne do t’i mbulojmë 600 eurot në muaj për apartamentin me kriptovaluta. Është e lehtë: Unë u dërgoj kripto njerëzve, ata më dërgojnë kripto-dollarë, më pas i ndërroj me dinarë”, thotë Vladi.

Rreth Rusisë që ikën në Serbi, e përbërë kryesisht nga qytetarë të frikësuar, apo të neveritur nga lufta ose të lidhur me ukrainasit, në qytetin ballkanik po lind një komunitet i përçarë, që importon shërbime jetike sikur të ishin në vend të tyre: restorante dhe parukeri, sallone bukurie dhe bare hipster, zinxhirë të ushqimit të shpejtë si Tip Top Bistro shfaqen gjatë natës në katet përdhese të ndërtesave.

Një organizator i njohur koncertesh, Stepan Kazaryan, është zhvendosur gjithashtu nga Moska në Beograd dhe po organizon një festival muzikor të shumëpritur në qytet.

“Bashkatdhetarët e mi presin të riprodhojnë të njëjtin stil jetese këtu si më parë”, shpjegon Aleksandra Gusak, mjeke e përgjithshme, me origjinë nga Kirov, rreth 1 mijë kilometra larg Moskës.

Me diasporën që po krijohet ka edhe mjekë “sepse shumë rusë të pasur nuk janë të kënaqur me shërbimin mjeksor nga serbët”.

Dhe më pas mënyra më e mirë për të gjetur kontakte është Telegrami, me bisedat e tij, ku ish drejtuesë në institucione mjeksore ofrojnë adresa specialistësh, farmaci alternative dhe klinika në të zezë.

“Unë nuk ndihesha më i sigurt në Rusi”, thotë Gusak, i cili vendosi të ikte në mars. Ajo na tregon dokumentet që ka marrë me vete. Një vulë e madhe saktëson se është edhe mjeke ushtarake, në rast urgjence për vendin.

“Një infermiere që njoh dhe disa gjinekologë tashmë janë mobilizuar dhe janë thirrur”, shton ajo pothuajse e përlotur. Dhe dëshiron të bëjë një apel, “mos mendoni se e gjithë Rusia është me Putinin. Në spitalin tim, aty ku Navalny ishte pacient, drejtori i përgjithshëm po na ruan vendin e punës të gjithë ne mjekëve që kemi ikur jashtë vendit”.

Ndërsa BE-ja ka ndërprerë lidhjet e saj ekonomike me Moskën, Serbia shtrin duart në kahe që nuk ndërthuren.

Presidenti Aleksandar Vuçiç dhe qeveria e kryeministres Ana Brnabiç nga njëra anë refuzojnë sanksionet ndaj Rusisë, e kundërta e asaj që ata kërkojnë me presionin në rritje nga Brukseli, nga ana tjetër ata vazhdojnë rrugën e ngadaltë për të hyrë në Evropë.

Kontradikta që gjenden dhe në rrugë, për shembull në rrugën Kralja Milana, një prift i kishës ortodokse është fotografuar nën statujën e Car Nikollës II.

“Moska do të fitojë!”, entuziazmohet ai. “Ne duhet t’i mposhtim ata nazistët më keq se Hitleri”.

Një retorikë që e gjen në fjalimet e së djathtës ekstreme në Beograd, të mbledhur shpesh për të demonstruar në favor të Kremlinit.

“Putini është një nga liderët e paktë të denjë”, shpjegon Andrej Mitiç zëdhënës i partisë Dveri për të përditshmen italiane “La Stampa”. “Ai mbështet vlerat e vjetra evropiane si sovraniteti kombëtar, familja, një kulturë e bazuar në krishterim, kundër tendencave transhumaniste të LGBT-ve. Ai duhet t’i përgjigjet sulmeve të NATO-s. Elita e Brukselit do të humbasë”.

Me kalimin e muajve të luftës, risi është se konflikti etnik po shfaqet edhe në mesin e refugjatëve.

Piotr Nikitin, avokat dhe aktivist i ekipit Navalny, ish-themelues i grupit në Facebook “Ukrainasit, rusët, bjellorusët dhe serbët kundër luftës”, organizoi një demonstratë dhe tregon për shqetësimin e tij “La Stampa-s”.

“Të njëjtët miq ukrainas me të cilët flisja më parë kur isha në Rusi, tani refuzojnë të më flasin. Pas masakrave të Buçës, mes nesh është krijuar një ndarje absurde, edhe nëse të gjithë jemi kundër luftës”.

Një frymë e tmerrshme e kohës kundër së cilës përpiqet të luftojë Katarina Markoviç, pronare e një restoranti të sapolindur në Beogradin e vjetër.

Ajo dhe partneri i saj shitën apartamentin në Moskë pas pushtimit dhe u larguan me fëmijët e tyre . “Nuk doja që fëmijët e mi të rriteshin duke ngrënë propagandën e Putinit”.

Marrë nga La Stampa, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore