Bota

Rusia akuza të reja dhe kërcënime ndaj Navalny-t


Rusia ka shtuar presionin ndaj kreut të opozitës, Alexei Navalny, pasi ky i fundit i mbijetoi një helmimi me agjentë nervorë që përdoren në armët kimike. Nga Kremlin-i ka akuza që e lidhin Navalny-n me korrupsionin. Ndërkohë politikani dhe shtetet perëndimore akuzojnë pikërisht qeverinë ruse për helmimin e tij.

Komiteti Hetues në Rusi ka ngritur akuzën se Navalny ka shpenzuar mbi tetë milionë euro donacione për arsye personale. Ndër strukturat kryesore, është Fondacioni Anti-Korrupsion që Navalny ka ngritur.

Ndërkohë kritiku ndaj Kremlinit është shprehur se presidenti Vladimir Putin po “kërkon ta burgosë sepse ai i mbijetoi helmimit”. “Kjo lëvizje e fundit ndaj meje, është rezultat i histerisë së Putin-it”, shkruan Navalny në Twitter.

Udhëheqësi i opotizës ruse momentalisht ndodhet në Berlin. Aty ai mori trajtimin pas helmimit që pësoi në një udhëtim drej Siberisë. Bashkimi Evropian ndërkohë sanksionoi në tetor disa zyrtarë rus për shkak të lidhjes që mendohet se kanë me ngjarjen.

Ndërkohë ka pasur gjatë kësaj kohe thirrje nga Rusia për kthimin e Navalny-t në vend. Ai momentalisht po shlyen një vendim të pezulluar. Por, nëse nuk kthehet, mund të përballet me burgosje.

Zëdhënësi për shtyp i Kremlin-it, Dmitry Peskov, tha se “nuk ka asnjë pengesë nga Kremlin-i që Navalny të kthehet në Rusi”.

Disa javë më parë, faqja e njohur e gazetarisë hetuese, Bellingcat, nxorri një telefonatë në të cilën një oficer rus pranonte se ishte dhënë urdhër për helmimin e Navalny-t./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore