Film

“Rusët i shohin ukrainasit si nazistët hebrenjtë”


Për Sergei Loznitsa-n, kjo duhet të kishte qenë kohë festive.

Dy nga filmat e regjisorit më të vlerësuar të Ukrainës sapo janë shfaqur në kinematë e gjithë New York-ut.

Në vend që të kënaqej me arritjen, jeta e Loznitsa-s ka qenë rrëmujë në muajt e fundit.

Jo vetëm që ka parë vendin e tij të copëtuar nga lufta brutale, por ka qenë edhe subjekt i polemikave të ashpra brenda industrisë së filmit.

Përplasja ka nisur në fund të shkurtit, kur Akademia Evropiane e Filmit dha ​​një premtim për mbështetjen e Ukrainës pas pushtimit rus.

Si përgjigje, Loznitsa nxori ​​një letër të hapur të ashpër, në të cilën kundërshtoi tonin neutral të zotimit.

Ai kritikoi anëtarët e EFA-s se kishin “frikë për ta quajtur luftën luftë, për të dënuar barbarinë dhe për të shprehur protestën”.

Dhe e përmbylli, duke thënë se “në radhët tuaja nuk janë më 61 anëtarë ukrainas, janë vetëm 60 të tillë”.

Një ditë pas dorëheqjes, më 1 mars, Akademia njoftoi se do t’i ndalonte regjisorët rusë nga Çmimet e Filmit Evropian të këtij viti.

Por kjo nuk e qetësoi regjisorin Loznitsa. E zemëroi atë më keq.

Në një letër të botuar në revistën “Variety”, ai deklaroi se nuk kishte ndër mend të promovonte një ndalim të tillë dhe kritikoi vendimin për të ndëshkuar kolektivisht kineastët rusë.

Ai vuri në dukje se shumë prej tyre janë kritikë ndaj regjimit të Vladimir Putin-it dhe se njerëzit nuk duhet të gjykohen në bazë të pasaportës së tyre.

Tri javë më vonë, kur u duk se stuhia ishte shuar, Loznitsa u përjashtua nga Akademia e Filmit ukrainas, për shkak të zemërimit ndaj solidaritetit të tij me artistët rusë.

Sipas tyre, ai kishte “theksuar vazhdimisht se e konsideron veten kozmopolit, njeri të botës”.

Meqë Ukraina po lufton për të mbrojtur pavarësinë e saj, koncepti kryesor në retorikën e çdo ukrainasi duhet të jetë identiteti i tij kombëtar.

Loznitsa, i cili aktualisht banon në Letoni, u përgjigj duke shkruar se “për fat të keq, ky është nazizmi… një dhuratë për propagandistët e Kremlin-it”.

Polemika duket se ka dëmtuar publikimin e filmit të fundit të tij, “Babi Yar. Context”.

Megjithatë, shërbeu për të drejtuar vëmendjen ndërkombëtare drejt dokumentarit emocionues dhe për të theksuar rëndësinë e tij bashkëkohore për shkak të situatës në Ukrainë.

“Babi Yar. Context” riviziton masakrën e vitit 1941 që u krye nga nazistët dhe simpatizantët ukrainas pranë Kiev-it, duke përdorur pamjet arkivore për të rindërtuar ngjarjet që çuan në mizori.

Ai ofron një portret kinematografik të pushtimit nazist të Ukrainës, rënies së Kiev-it, disa vendasve që bashkëpunojnë me ushtrinë gjermane dhe rimarrjes së Kiev-it nga Bashkimi Sovjetik.

Filmi arrin të krijojë në mendjen e shikuesit një turbullim midis imazheve nga e kaluara e largët me imazhe të ngjashme që dalin nga Ukraina e ditëve moderne.

Këtë muaj, Loznitsa ishte në Izrael, për të prezantuar shfaqjet e dokumentarit të tij në kinematë e Jerusalemit dhe Tel Aviv-it.

Ai i ka mëshuar rëndësisë së filmit të shfaqur në Izrael.

“Është veçanërisht e rëndësishme për mua ta bëj këtë në Izrael”, ka thënë ai, përcjell Albanian Post.

“Kjo ngjarje është traumatike për çdo hebre në mbarë botën dhe, fatkeqësisht, vetëm një numër i vogël filmash janë realizuar për tragjedinë dhe disa prej tyre nuk zbulojnë historinë e vërtetë”, ka vijuar.

Dhe ka pohuar se ka vendosur ta zbulojë gjithë të vërtetën te filmi.

Imazhet që kumbojnë nga Ukraina e sotme e ngarkojnë filmin me një shtresë të shtuar rëndësie.

Filmi i Loznitsa-s është një kryevepër, duke mbledhur një kolazh me pamje arkivore të kapura para dhe pas masakrës në grykën Babi Yar, ku ushtarët nazistë, të ndihmuar nga ukrainasit vendas, vranë 33 mijë e 771 hebrenj më 29-30 shtator.

Masakra ishte pjesë e fushatës së vrasjeve masive drejtuar hebrenjve nga forcat pushtuese gjermane.

Sakaq, filmi bazohet në sasi të mëdha pamjesh arkivore për të dokumentuar pushtimin nazist të rajonit, mënyrën se si pushtuesit u përshëndetën me lule dhe brohoritje nga shumë ukrainas, si dhe pushtimin pasues sovjetik të rajonit në 1943.

Loznitsa i tregon shikuesit se si gjermanët dogjën fshatra të tëra, si mblodhën dhjetëra mijëra hebrenj në Kiev, i poshtëruan dhe ua hoqën dinjitetin dhe pronën, shumë kohë përpara se të kryenin masakrën.

Dhe se si pjesë të popullsisë ukrainase, jo vetëm që nuk bënë asgjë për të parandaluar tmerrin, por iu bashkëngjitën atij.

Kurse gjysma e dytë e filmit tregon kundër-dhunën e kryer nga ushtria sovjetike pas rimarrjes së tokave.

Në film shfaqen kufomat dhe shkatërrimi. Thuajse mund të nuhatet kutërbimi i trupave të vdekur.

Zbulon se çfarë ndodhi para masakrës dhe pas saj, por vetë vrasja masive në Babi Yar, kulmi i këtyre ngjarjeve të dhunshme, nuk shfaqet në ekran.

Këto ngjarje të tmerrshme nuk u kapën nga kamerat dhe mungesa e tyre shërben vetëm për të nxjerrë në pah tmerrin.

Loznitsa ka shpjeguar se lidhja e tij me Babi Yar është endur në strukturën e historisë së tij personale.

“Jam rritur në Kiev që në moshën gjashtëmuajshe dhe kam jetuar atje deri në moshën 27-vjeçare.

Vitet e fëmijërisë i kalova në një zonë shumë afër Babi Yar-it, aty ku luaja si fëmijë dhe gradualisht, me kalimin e kohës, mësova për historinë e vendit dhe atë që ndodhi.

Ky vend ishte pjesë e historisë sime.

Tema ishte tabu në Bashkimin Sovjetik për shumë vite, nuk mund ta diskutonit.

Rrëfimi zyrtar thoshte thjesht se qytetarët sovjetikë u vranë në Babi Yar dhe nuk përmendeshin fare hebrenjtë.

Vetëm me rënien e Bashkimit Sovjetik, historianët mund të fillonin të hulumtonin se çfarë ndodhi”.

Në filmat e tij të mëparshëm, Loznitsa ka cekur Holokaustin dhe Luftën e Dytë Botërore.

Por kaherë ka ndier se do të vinte koha kur të shqyrtonte nga afër se çfarë ndodhi në terrenin e tij të vjetër të fëmijërisë.

Një dekadë më parë, ai nisi të hulumtonte në thellësi masakrën e hebrenjve në Babi Yar.

Një mizori që tërhoqi për herë të parë vëmendjen e publikut në Izrael dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1961, pas botimit të poemës së poetit rus Yevgeny Yevtushenko me titull “Babi Yar”.

Në fillim, Loznitsa shkroi një skenar për një film që kishte planifikuar të niste xhirimet këtë verë. “Fatkeqësisht, mund të shihni se çfarë po ndodh tani në Kiev”, ka thënë ai.

Dy vite më parë, iu ofrua nga Qendra Përkujtimore e Holokaustit Babi Yar të bënte diçka me materialin arkivor që kishte mbledhur.

E pranoi sfidën dhe rezultati është “Babi Yar. Context”.

“Çka ndodhi atëherë, 80 vjet më parë dhe çka po ndodh tani në Ukrainë është një tragjedi e tmerrshme. Më dhemb. Dhe koha është rastësi. Nuk kisha në plan ta publikoja tani filmin”, ka treguar regjisori.

Por ai beson se është me rëndësi që ngjarje tragjike të së kaluarës të diskutohen.

“Nuk ka një kohë të përsosur, por është thelbësore ta bëjmë këtë, sepse nëse nuk mësojmë nga mësimet e së kaluarës, ka një shans që historia të përsëritet”, ka paralajmëruar.

Për të, çka pasqyrohet nëpër lajme është një realitet në të cilin çdo ukrainas përballet me të njëjtën situatë si hebrenjtë që u përballën 80 vjet më parë.

“Rusët i shohin sot ukrainasit në të njëjtën mënyrë siç i shihnin nazistët hebrenjtë. Ata përfaqësojnë saktësisht të njëjtën gjë. Vrasja e ukrainasve vetëm për faktin se janë ukrainas është e njëjtë me atë kur hebrenjtë vriteshin nga nazistët vetëm se ishin hebrenj 80 vjet më parë”, ka pohuar ai.

Sipas Loznitsa-s, asgjë nuk ndryshon nëse nuk merren mësime nga historia.

“Pas rënies së BRSS-së, regjimi sovjetik nuk u mbajt kurrë përgjegjës për krimet që kreu… shkalla e krimeve nuk është zbuluar plotësisht.

Shumë njerëz ende pretendojnë se Stalin-i ishte një udhëheqës i madh rus.

Si mund ta thotë dikush këtë, duke pasur parasysh atë që dimë për krimet e kryera nga regjimi i tij?!

E, megjithatë, njerëzit ende besojnë se ai ishte i madh.

Ndoshta këta njerëz kanë nevojë për trajtim mjekësor, por për mua, kjo do të thotë se detyra e elitave shoqërore – artistëve, shkencëtarëve, historianëve, politikanëve, intelektualëve – nuk është përmbushur.

Ende, shoqëria nuk e ka përvetësuar atë që ndodhi dhe patologjia vetëm sa bëhet gjithnjë e më e keqe.

Jam i vetëdijshëm se kjo që po bëj, është veç një pikë në oqean, por nuk bëj filma për t’i edukuar njerëzit apo për të bërë një deklaratë politike.

E bëj sepse ky është udhëtimi im, kjo është dhimbja ime”.

Për emërtimin e tij si “kozmopolit” nga Akademia, ai është kundërpërgjigjur se “Ukraina është një shoqëri multietnike, atje jetojnë shumë kombe të ndryshme: ukrainas, polakë, rusë, hungarezë, rumunë.

“Në diskursin e Stalin-it, fjala kozmopolit kishte një konotacion shumë specifik, duke iu referuar hebrenjve. Ai u bë një term qendror në propagandën staliniste në vitin 1948, pasi nisi një fushatë antisemite që synonte të inkurajonte pogromet”, ka ravijëzuar regjisori.

 

Marrë nga “Haaretz”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore