Euro 2024

Rumania shkërmoq Ukrainën, pas dy gafave të Lunin


Nëse ndeshjet do të vendoseshin nga anti-heronjtë, për Ukrainën emri i tij do të ishte Andriy Lunin.

Rumania ka arritur të marrë më të mirën e mundshme nga ndeshja e tyre hapëse e Euro 2024, duke mposhtur me rezultatin e thellë 3 me 0 Ukrainën dhe duke hedhur një hap të sigurt drejt një kualifikimi të mundshëm nga faza e grupeve.

Dy gafa të Lunin dhe një vendosmëri më e lartë në radhët e rumunëve, ishin vendimtare në fitoren e arritur, teksa nga ana tjetër tejet të zhgënjyer kanë qenë ukrainasit, të cilët kishin pritshmëri të mëdha në ndeshjen hapëse të Euro 2024.

Gjysma e parë e pjesës së parë e pa Ukrainën të vendosur më mirë në fushë dhe më kërkuese. Por, Rumania, nuk la hapësira të mëdha për depërtim dhe mbylli mirë çdo aksion të kundërshtarëve.

Një gabim në pasim nga portieri ukrainas Lunin në minutën e 29-ë ndërkohë, do të bëhej edhe zanafilla e golit, ku pas një pasimi përcaktues nga Dennis Man, ishte Nicolae Stanciu, ai i cili me një goditje të fortë nga jashtë zone dërgoi topin në cepin e majtë të portës, duke mposhtur Lunin.

Pjesa e dytë, një fotokopje e të parës. Statistikat nuk vlejnë, por golat dhe ata janë në anën e rumunëve.

Razvna Marin synon portën në minutën e 53-ë dhe e gjen rrjetën, pasi Lunin nuk arrin të presë një top, të cilin praktikisht e kishte në duar, por i kalon poshtë trupit.

Katër minuta më vonë festës së golave i bashkohet edhe Dragus, i cili përfiton nga një tjetër pasim përcaktues i Dennis Man dhe çon topin në rrjetë shumë thjeshtë.

Ukraina e mban topin për 65% të totalit të ndeshjes, por nuk arrin të konkretizojë asgjë në këto minuta.

Në pritje të ndeshjes tjetër në grupin E, mes Belgjikës dhe Sllovakisë, Rumania merr përkohësisht drejtimin e grupit dhe sheh me endje për nga një kualifikim i mundshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore