Teknologji

Rrugëtimi i Jeff Bezos


Jeff Bezos njihet gjerësisht si themeluesi dhe drejtuesi i kompanisë amerikane teknologjike, Amazon, e cila ka arritur të jetë një histori suksesi në botën e biznesit.

Në fillimet jo të lehta

Bezos u lind nga një nënë adoleshente. Pas divorcimit të saj nga i ati, Bezos u rrit nga njerku i tij i cili ishte një emigrant kubanez.

Mungesat e herëpashershme nuk e ndalën Bezos-in që fill pas kryerjes së studimeve në Universitetin e Princeton-it për shkenca kompjuterike dhe inxhinieri elektrike, të krijonte Amazon-in nga garazhi i tij në Seattle i cili u kthye në një laborator të shpikjeve.

Krijimet e para me fitim

Kur ishte në shkollën e mesme, Bezos nisi biznesin e tij të parë. Një kamp veror edukativ të quajtur “Instituti i Ëndrrave” i cili mirëpriste nxënësit e klasava të katërta, të pesta dhe të gjashta. Prej gjashtë anëtarëve të kampit, ai siguronte 600 dollarë për person.

Ai pati mundësinë të punonte në disa firma financiare në Wall Street, mirëpo hoqi dorë prej tyre kur në vitin 1994 mësoi se bota e internetit po pësonte rritje me ritme tejet të larta. Ky fakt e shtyu atë të krijonte Amazon-in dhe listën e 20 kategorive të mundshme të produkteve që do të shiste.

Amazon-i që u del pritshmërive

Amazon.com, në muajin e parë të saj si një platformë e shitjes online të librave, në korrik të vitit 1995, arriti të shiste libra në çdo vend të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe në 45 vende të tjera të botës. Arritje për të cilën u investuan vetëm 10 mijë dollarë të grumbulluara nga Bezos, gruaja e tij dhe dy programues.

Në vitin e parë të shitjeve të Amazon-it, ndryshe nga parashikimet prej 74 milionë dollarë shitje deri në vitin 2000, Bazen arriti 1.64 bilionë dollarë brenda vitit 1999.

Ëndrra për hapësirën

Me besimin se e ardhmja e njerëzimit i përkiste një planeti tjetër, Bezos ia doli të realizonte një shumësi projektesh filantropike dhe investime të shpërndara në sektorë të ndryshëm të industrisë, së fundmi me fokus te zbulimi i hapësirës. Ato perfaqësojnë një eksplorim të një shumësie fushash dhe idesh biznesi.

Zotërimi i pasurive të paluajtshme prej 165 mijë hektarësh në Texas i shërbeu themeluesit të Amazon-it për të ndërtuar bazën e operacioneve të kompanisë hapësinore, Blue Origin. Kjo hapësirë shërben shfytëzohet edhe si vend prove për raketat suborbitale me ulje vertikale, New Shepard.

Vëmendja për komunikimin dhe ndërlidhjen

Në vitin 2012, Bezos bleu gazetën amerikane Washington Post për 250 milionë dollarë. Me interesin për teknologjinë dhe lehtësimin e komunikimit ndërmjet njerëzve, ai ka investuar te platforma Twitter dhe te faqja online e biznesit, Business Insider.

Dy projekte përmbushëse

Projekti “10.000-year-clock” është përpjekja për të ndërtuar një orë në anët e malit Sierra Diablo në Texas. Një orë, tiktaket e së cilës do të tingëllojnë për 10 mijë vjet.

Përpjekja e radhës ka të bëj me rikthimin e motorit F-1 për të shpëtuar motorët që mundësuan fluturimin drejt hënës të Apollo 11-s.

Mes fitimeve dhe dhurimeve

Shuma të konsiderueshme të të ardhurave, Bezos i ka dhuruar për bamirësi. Përpos “Fondacionit të Familjes”, një ndihmë e madhe ka shkuar edhe për projekte tw shumta arsimore.

Në vazhdimësi

Jeff Bezos hoqi dorë nga të qenit CEO i Amazon-it dhe tanimë do t’i përkushtohet projekteve të tjera të cilat i ka në ngarkim. Pa harruar ëndrrën e fëmijërisë, hapësirën.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore