Lajme

Rrokullisja e autobusit me shqiptarë në Serbi: Të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetë


Autobusi i rrokullisur

Nëntë udhëtarët e lënduar pas rrokullisje së autobusit me udhëtarë shqiptarë të kompanisë “Zhitia Turist”, janë jashtë rrezikut për jetën.

Qeveria e Kosovë ka njoftuar se menjëherë pasi kanë kuptuar për aksidentin, zyrtari ndërlidhës është nisur “për në spitalin e Krushevcit për t’i vizituar të lënduarit”.

“Institucionet e Republikës së Kosovës janë në kontakt të vazhdueshëm për të bërë gjithçka që është e mundur për të ndihmuar të prekurit nga ky aksident”, është thënë në njoftimin e Qeverisë.

Autobusi që u rrokullis ishte i linjës Prishtinë-Graz (Austri), derisa aksidenti ka ndodhur mbrëmjen e 11 janarit, rreth orës 22:00, saktësisht në Kupci të Madh afër Krushevcit, në Serbi.

Pasi janë dërguar të lënduarit në spital, kompania e udhëtimit ka nisur një autobus tjetër që t’i marrë udhëtarët që të vazhdojnë udhëtimin për në Graz.

Autobusi i rrokullisur

Pas aksidentit për media ka folur edhe drejtori i Agjencisë Turistike, Gazmend Zhitia.

Në këtë aksident, sipas Zhitisë, të përshirë ishin 78 udhëtarë, ndërsa, pavarësisht pamjeve të publikuara nga vendi i ngjarjes, Zhitia mohonte se ka pasur rrotullim të autobusit.

“Ishte vetëm rrëshqitje, për shkak të mospastrimit të rrugës”, ka deklaruar ai.

“Ju kërkojmë falje të gjithë atyre që ishin udhëtarë dhe familjeve të tyre, mirëpo po ju garantoj që të gjithë janë shëndosh e mirë”, ka thënë Zhitia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore