Shqipëria

Rrjedhja masive e pagave, Balla: Përpjekje për të destabilizuar marrëdhënien punëdhënës-punëmarrës


Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, të martën e 28 dhjetorit, ka deklaruar se rrjedhja masive e të dhënave personale dhe pagave të çdo shtetasi shqiptar është bërë “për të destabilizuar marrëdhënien punëdhënës-punëmarrës”.

“Është punuar për të ndryshuar ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale. Mendoj se është momenti i duhur për të ashpërsuar penalitetet për këdo që shpërdoron apo vë në rrezik marrëdhënien punëdhënës-punëmarrës”, tha Balla nga qyteti i Fierit.

Balla theksoi se është punuar në mënyrë intensive që legjislacioni shqiptar të përafrohet me ato të Bashkimit Evropian, pasi është pjesë e kapitujve të marrëveshjes për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

“Ashtu siç bëri kryeministri edhe unë doja t’i shprehja ndjesën atyre që ka prekur kjo problematikë”, vijoi Balla më tej.

Ai e mbylli duke vënë theksin se këto nodhin edhe në shtete më të zhvilluara se Shqipëria, si në SHBA, ku kujtoi “WikiLeaks-in e famshëm”.

“Biem dakord të gjithë, ishte një përpjekje për të destabilizuar”, e përmbylli Balla.

Javën e kaluar një rrjedhje masive e të dhënvae personale dhe të pagave të mbi 900 mijë tatimpaguesve në Shqipëri qarkulloi në median sociale. Konkretisht muaji janar dhe prill 2021.

Përveç tyre rrjedhja vijoi edhe me targat e çdo shtetasi shqiptar, marka e automjetit, modeli i tyre dhe ngjyra.

Prokuroria e Tiranës, ka bërë me dije që prej 22 dhjetorit se kanë nisur hetimet mbi ngjarjet. Mirëpo, ende nuk ka një njoftim zyrtar se kush po hetohet dhe kush është i dyshuar.

Ndërsa, mbi publikimin e parë, vetë Rama, ka qenë ai i cili ka kërkuar ndjesë publike, duke shtyrë pushtetin legjislativ të veprojë sa më parë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore