Shqipëria

Skandali me pagat: Kryeprokurorja e Tiranës garanton se do të ketë autorë


Pas publikimit të pagave të muajit janar dhe prill ka mbërritur dhe reagimi i parë zyrtar i kryeprokurores së Tiranës, Elisabeta Imeraj, e cila ka theksuar se prokuroria po kryen të gjitha hetimet dhe në përfundim të tyre do të ketë dhe autorë.

“Grupi hetimor është i përkushtuar në drejtim të kryerjes së veprimeve të duhura hetimore dhe normalisht që do kemi autorë”, theksoi fillimisht Imeraj.

Ngjarjen në fjalë, zyrtarja e konsideroi një çështje sensitive dhe ofroi detaje për shkak të vëmendjes së shtuar, sipas saj, jo vetëm të gazetarëve, por dhe të opinionit publik në tërësi.

Ajo garantoi gjatë fjalës së saj se Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë po kryen çdo veprim të nevojshëm dhe të duhur hetimor “brenda një kuadrati të lejuar nga ligji”.

“Jemi të bindur që deri në fund të këtij hetimi veprimet do të jenë intensive dhe do të konkludohet me vendimmarrje konkrete”, pohoi ajo në përmbyllje.

Sekuestro

Prokuroria e Tiranës vendosi të enjten e 23 dhjetorit sekuestron mbi serverin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë të Informacionit (AKSHI).

Kjo, pas publikimit të listave me të dhëna të ndjeshme të qytetarëve – ku pasqyrohen pagat dhe të dhënat e tyre personale.

Një listë e jashtëligjshme, e një databaze me të dhënat e 637 mijë e 138 tatimpaguesish, qarkulloi me shpejtësi në rrjetin social “Whatsapp”.

Prokuroria e Tiranës do të niste zyrtarisht të mërkurën e 22 dhjetorit një hetim mbi të dhënat e publikuara.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI)

Nga burimet e Albanian Post u mësua se, ndër detajet personale të publikuara, përfshihen të dhënat e të punësuarve me numrin personal të identifikimit, NIPT-in e biznesit ku janë të punësuar dhe pagat bruto të deklaruara.

Prokuroria e Tiranës bënte me dije se dyshimet e para bien mbi të dhëna të dala nga Sigurimet Shoqërore ose nga Drejtoria e Tatimeve.

Edhe serverat e këtyre institucioneve gjenden tanimë nën sekuestron e Prokurorisë.

Kjo ishte hera e dytë kur të dhëna personale të qytetarëve publikohen gjerësisht.

Përpara zgjedhjeve të 25 prillit, çështja e njohur si “patronazhistët”, u bë e njohur për publikun, pas një liste me mbi 900 mijë profile qytetarësh të publikuar.

Ajo përbëhej nga të dhënat e numrit personal të identifikimit si edhe një preferencë e pretenduar partiake.

Por, publikimi i kësaj databaze, e tejkalon shumë herë, për shkak të natyrës së të dhënave që janë shpërndarë.

Ndërtimi i ngjarjes

Të mërkurën e 22 dhjetorit u publikuan pagat për muajin janar 2021.

Sot, të enjten e 23 dhjetorit, ndërkohë që kryeministri Edi Rama po jepte shpjegime mbi rrjedhjen e të dhënave, është publikuar lista e pagave të muajit prill 2021, për të gjithë punonjësit e sektorit publik dhe privat.

Redaksia e Albanian Post ka arritur të sigurojë listën e përditësuar të muajit prill, ku duken qartësisht ndryshimet.

Për arsye etike, ashtu si për të dhënat e janarit, Albanian Post nuk do të publikojë asnjë të dhenë.

Por, pavarësisht kërkimit të faljes publike nga kreu i Qeverisë, duke se çështja vijon të rëndohet, ku rrjedhja e të dhënave bëhet edhe më e madhe dhe indiciet parakrake, sugjestionojnë se edhe pagat e muajve të tjerë mund të jenë në qarkullim.

Ky dokument i dytë, përmban më shumë të dhëna, me 694 mijë e 473 persona pjesë e listës.

Ndërsa i pari ka qarkulluar në rrjetin Whatsapp si dokument, i dyti ka qarkulluar nëpërmjet një linku në rrjetin e shpërndarjes WeTransfer.

Një detaj tjetër i listës, është fakti se këtë herë, të publikuar, janë edhe numrat e telefonave të qytetarëve. Ata janë të vendosur në një faqe më vete, së bashku me datëlindjet dhe vendlindjen e tyre.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore