Shqipëria

Prokuroria e Tiranës nis hetimet për rrjedhjen e informacioneve të databazës së qytetarëve të punësuar


Janë mbi 637 mijë persona të përfshirë dhe të dhënat e tyre janë tërësisht të cenuara.

Një publikim i jashtëligjshëm i një databaze me të dhënat e 637 mijë e 138 tatimpaguesish, po qarkullon me shpejtësi në rrjetin social “Whatsapp” dhe ka alarmuar tashmë publikun.

Aq, sa Prokuroria e Tiranës, ka nisur zyrtarisht një hetim mbi të dhënat e publikuara dhe po analizon si mund të ketë ardhur rrjedhja e tyre.

Nga burimet e Albanian Post, mësohet se ndër detajet personale të publikuara, përfshihen të dhënat e punësuarve me numrin personal të identifikimit, NIPT-in e biznesit ku janë të punësuar dhe pagat bruto të deklaruara.

Të cenuara janë edhe të dhëna të pronarëve të këtyre bizneseve me të dhëna shtesë prej tyre.

Ndërsa, sektorët e prekur, janë si ai publik, si ai privat, ku më së shumti mbeten këta të dytët, për shkak të shifrës më të lartë të punonjësve të punësuar aty.

Po ashtu, ndër të dhënat, përfshihet edhe pozicioni përkatës i punës. Mendohet se publikimi fillestar është bërë në orët e vona të 21 dhjetorit dhe ka vijuar më tej në ditën e sotme.

Nga Prokuroria e Tiranës, bëhet me dije se dyshimet e para, bien mbi të dhëna të dala nga sigurimet shoqërore ose nga Drejtoria e Tatimeve.

Kjo, edhe për vetë faktin se të dhënat lidhen me këto drejtori.

Ndërsa, një vërtetim përfundimtar i çështjes, mund të ngrejë pikëpyetje të mëdha mbi kauzën.

Kjo është hera e dytë kur të dhëna personale të qytetarëve publikohen gjerësisht.

Përpara zgjedhjeve të 25 prillit, çështja e njohur si “patronazhistët”, u bë e njohur për publikun, pas një liste me mbi 900 mijë profile qytetarësh të publikuar. Ajo përbëhej nga të dhënat e numrit personal të identifikimit si edhe një preferencë e pretenduar partiake.

Por, publikimi i kësaj databaze, e tejkalon shumë herë, për shkak të natyrës së të dhënave që janë shpërndarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore