Shqipëria

Nuk mbaron rrjedhja e të dhënave në Shqipëri, dalin ato të targave


Një tjetër rrjedhje masive informacionesh personale ka ndodhur në Shqipëri, ku target i radhës kanë qenë targat e makinave të çdo shtetasi.

Numri i të dhënave të publikuara, shkon në mbi 530 mijë. Në to përmbahen me detaje përtej targave, edhe marka e automjetit, modeli i tyre dhe ngjyra.

Kjo është rrjedhja e tretë masive e informacioneve brenda tre ditëve në Shqipëri. Në dy ditët e para, të dhënat personale të publikuara ishin ato të pagave personale për dy muaj. Përkatësisht, janarin dhe prillin.

Bashkëngjitur me të dhënat e prillit, ishin edhe ato të numrave të telefonit për mbi 900 mijë qytetarë. Mbi pagat, numri i të prekurve shkon në rreth 690 mijë qytetarë.

Rrjedhja e targave, ka ndodhur në një skenar të ngjashëm me atë të 23 dhjetorit, kur u publikuan pagat e marsit.

Pikërisht në çastin kur kryeministri, Edi Rama, po prezantonte një nismë të re të konsultimeve publike, në rrjetin Whatsapp filloi të qarkullonte dokumenti me të dhënat.

Ndërkohë, nuk dihet ende nëse kjo është diçka e kryer nga i njëjti person, apo grup.

Prokuroria e Tiranës, ka bërë me dije që prej 22 dhjetorit se kanë nisur hetimet mbi ngjarjet. Mirëpo, ende nuk ka një njoftim zyrtar se kush po hetohet dhe kush është i dyshuar.

Ndërsa, mbi publikimin e parë, vetë Rama, ka qenë ai i cili ka kërkuar ndjesë publike, duke shtyrë pushtetin legjislativ të veprojë sa më parë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore