Kosova

Rritja ekonomike në Kosovë – Kërkohet që në fokus të jenë investimet kapitale


Ilustrim

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë se deri në fund të vitit parashikohet që vendit të ketë rritje ekonomike jo më e vogël se 7%.

“Në fund do ta kemi një shifër të rritjes ekonomike që do të jetë një shkallë e rritjes ekonomike e reflekton rikthimin pa pandemisë dhe poashtu një ndryshim të dukshëm sa i përket rritjes së eksportit. Projeksionet janë për një rritje ekonomike jo më e vogël se 7%. Ne nuk mund të presim të kemi të njëjtën shkallë të vizitave të diasporës dhe nuk mund të presim të kemi të njëjtin raport me shtimin e konsumit. Ky vit mund të shënohet i suksesshëm sa i përket rritjes ekonomike”, tha Rukiqi.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi

Ndërsa, kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahin, këtë vit ka një rritje ekonomike që konsiderohet të jetë mbi 8% .

“Rritja ekonomike në Kosovë nuk mund të jetë reale për shkak se kemi pasur rritjes minus vitin e kaluar. Këtë vit kemi një rritje plus e cila konsiderohet që do të jetë mbi 8% dhe do të jetë pozitive për vendin”, theksoi Shahini.

Sipas tij, Qeveria duhet të ketë një strategji për ta luftuar varfërinë e që të ketë investime të reja.

“Në këtë rast duhet një strategji për ta luftuar varfërinë e cila po kanoset dhe duhet të bëhet strategjia për thithjen e investimeve kurse për ulje të çmimeve janë të pafuqishëm qoftë Qeveria apo bizneset e Kosovës. Tash kur jemi në sezonin e dimrit kur edhe rritet niveli i konsumit të energjisë elektrike mund të kemi probleme”.

Shahini ka potencuar se janë duke monitoruar rritjen e çmimeve duke shtuar se kjo po ndodh në gjithë botën dhe se Kosova është e pafuqishme ta ndal këtë trend, raporton EO.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini

“Aleanca Kosovare e Bizneseve është duke ndjekur për së afërmi trendin e rritjes së çmimeve në tregun e Kosovës. Kemi ardhur në përfundim se çmimet nuk janë rezultat i rritjes së çmimeve nga tregtarët e vendit dhe biznesit por rezultat i rritjes së çmimeve në tregjet globale e që ne 90% jemi importues që varemi nga tregjet e huaja dhe bashkë me rritjen e çmimeve këto produkte që jemi duke i importuar importojmë edhe inflacion”, shtoi ai për EO.

Kurti: Rritja ekonomike e Kosovës frikëson armiqtë e saj

Pas miratimit të projektbuxhetit për vitin 2022 në Qeveri, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se vendi ka shënuar rritjen më të lartë ekonomike gjatë qeverisjes së tij, duke e krahasuar Kosovën me shtetin kroat.

“Sot lajmi kryesor që i frikësohen të gjithë armiqtë e Kosovës është rritja ekonomike”, pati thënë Kurti më 29 tetor.

“A e dini çka do të thotë që nëse përgjatë viteve të kësaj dekade ne vazhdojmë me rritje nga 10 përqind, ne do t’i afrohemi Kroacisë”, ka thënë ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Tutje Kurti tha se rritja ekonomike është e pashembullt në Ballkan.

Sipas tij “ne i afrohemi vendit që së fundmi iu bashkua BE-së. Prandaj, është tejet e rëndësishme dhe asnjëherë mjaftueshëm e theksuar rritja ekonomike e Kosovës tani”.

Rritja ekonomike në vend ka ndodhur për shkak se qytetarët kanë shpresë ka thënë Kurti, duke mos dhënë ndonjë “formulë” se si shpresa rritë ekonominë e vendit.

“Rritja ekonomike ka ndodhur tek ne, se qytetarët mendojnë të ardhmen, dhe më shumë mendojnë të kursejnë sesa të shpenzojnë. Kundërshtarët e Kosovës kanë interes që qytetarët të mos shpenzojnë por kursejnë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore