Kosova

Rritja e rasteve me COVID-19 – infektologët kërkojnë rikthimin e masave


Ilustrim

Ditëve të fundit në Kosovë është rritur dukshëm numri i rasteve të infektuar me COVID-19. Në 24 orët e fundit janë shënuar 195 raste të reja, pas testimit të 3 mijë e 730 mostrave.

Nga 195 rastet, 100 prej tyre janë të infektuar të mohës nga 20-39 vjeç.

Shkaqet dhe arsyet e rritje së këtyre numrave janë të shumta, sipas Kryetarit të Shoqatës së infektologëve të Kosovës, Hamdi Ramadani, i cili në një intervistë për Albanian Post ka treguar se me vëmendje ka përcjellë aktivitetet e zhvilluara së fundi.

“Grumbullime të shumta të njerëzve, në restorante, kafe në të cilat nuk ka maska e distancë. Po ashtu në dasma po marrin pjesë mbi 200 ose më shumë persona”.

Ramadani thekson se, “masat antiepidemiologjike janë zbutur ose hequr gati krejt”.

Por, një ndër arsyet e këtyre grumbullimeve të shumta dhe të shpeshta ai e arsyeton me ardhjen e mërgatës me pushime në Kosovë.

“Duhet një analizë e situatës, duhet menduar për masa më kufizuese rigoroze, besoj që Instituti Kombëtar dhe Ministria e Shëndetësisë do të marrin hapa konkret që situata epidemiologjike të mos përkeqësohet më tej”, shprehet Ramdani.

Sipas të dhënave zyrtare, të infektuarit e këtyre ditëve rezultojnë të jenë persona të cilët nuk janë vaksinuar akoma, tregon Ushtruesi i Drejtorit të Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Arben Vishaj.

“Rritja e rasteve po ndodhë tek ata që nuk janë të vaksinuar, apelojmë të vaksinohen. Por aspekti klinik nuk ka ndryshuar në masë të madhe me variantet e mëparshëm”, thotë Vishaj.

Vishaj ka theksuar se ky fluks i infektimeve mund të ndalet vetëm përmes vaksinimit.

“Kemi numër të madhe të të pa vaksinuarve, dhe me qëllim që të parandalohet infeksioni, duhet të vaksinohemi”.

Kjo rritje e pa pritur e numrave të peronave të infektuar me COVID-19, për epidemiologun Isuf Dedushaj është shumë shqetësuese.

“E vetmja mënyrë është që të rritet numri i përfshirjes në vaksinim. E nëse vazhdon kështu rritja enorme, mandej sigurisht se duhet të merren dhe masa të tjera kundër pandemisë”, deklaron Dedushaj.

Ai tregon se nëse rritja e numrave vazhdon me të njëjtin ritëm atëherë institucionet janë të obliguar që të marrin masa rigoroze për të ndaluar tubimet masive dhe vendosja e maskave të jetë e obligueshme, në vendet që ka numër të madh të qytetarëve.

“Nuk ka tjetër rrugëdalje. Vetë fakti që varianti Delta ka marrë hov gjithandej globit dhe shtetet e fuqishme, edhe pse kanë bërë një mbulim të mirë me vaksina, kanë nisur të aplikojnë masat parandaluese, në radhë të parë përdorimin e maskave në vendet publike”, shton ai.

Deri sa virusi vazhdon të jetë prezent, infektlogu Sali Ahmeti pohoi se respektimi i masave kundër pandemisë duhet të vazhdojë, në të kundërtën, sipas tij, numri i të infektuarve do të vazhdojë të rritet.

“Unë mendoj se maskat duhet të vazhdohet që të mbahen, qoftë edhe nga personat e vaksinuar, në mënyrë të veçantë dhe gjithsesi edhe nga ata të pa vaksinuar. Duhet të ruhet e mbahet distanca si dhe të mbahet higjiena personale”, thotë Ahmeti.

Masat kundër pandemisë në Republikën e Kosovë, janë liruar pothuajse krejtësisht. Mbajtja e maskës më nuk respektohet në ambiente të mbyllura dhe me shumë njerëz, as në rrugë.

Zyrtarët në Qeverinë e Kosovës e as në Ministrinë e Shëndetësisë nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje nëse po e shqyrtojnë mundësinë e kthimit të masave kundër pandemisë.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka bërë të ditur se rreth 90 për qind e rasteve të fundit të infektimit me COVID-19 janë të lidhura me variantin Delta. Ky variant, që ka shpejtësi ngjitëse më të madhe, është bërë dominues edhe në Kosovë. Instituti, mostrat për variantin Delta, i dërgon jashtë vendit për t’i analizuar.

Që prej 13 marsit të vitit 2020 deri më 5 gusht 2021, në Kosovë janë regjistruar 109 mijë e 39 raste me COVID-19, 2 mijë e 270 të vdekur dhe 105 mijë e 704 pacientë të shëruar.

Ndërkaq, janë dhënë 469 mijë e 857 doza të vaksinave. Nga kjo shifër 305 mijë e 567 persona janë vaksinuar me një dozë, ndërkaq me dy dozat e vaksinës janë vaksinuar 164 mijë e 290 persona.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore