Lajme

“Rritja e numrit të psikologëve e domosdoshme”, ky premtim nuk figuron në planin e punës së qeverisë


Ani pse ministrja e arsimit, Arbërie Nagavci kishte deklaruar para një jave, se kanë prioritet shtimin e numrit të psikologëve dhe pedagogëve nëpër shkolla, ky premtim nuk figuron në Programin e Qeverisë “Kurti 2”.

Pas publikimit të lajmit për abuzimin e një të miture në një shkollë të Prishtinës, është rikthyer në publik tema që edukata seksuale të futet si lëndë në shkolla në Kosovë, e bashkë me të të shtohet edhe numri i psikologëve dhe pedagogëve në këto institucione.

“Në programin tonё qeverisës kemi planifikuar rritjen e numrit të psikologëve dhe tё shërbimeve mbështetëse nё shkolla. Psikologët, pedagogët dhe shërbyesit social kanë rol vital dhe duhet angazhuar për mirëqenien e nxënësve”, kishte deklaruar më 17 maj, Arbërie Nagavci, ministre e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Por, ky premtim nuk figuron në planin e punës së qeverisë.

“Programi i Qeverisë së Republikës së Kosovës 2021 –2025”, i miratuar në ekzekutiv më 11 maj, nuk përmban premtimin e të parës së arsimit në Kosovë.

Në tri faqet për arsimin dhe shkencën, veç që nuk ka plan konkret për numrin e psikologëve dhe pedagogëve që mendohet të shtohen nëpër shkolla, kjo temë nuk përmendet fare.

Por, këtë çështje e shohin si shumë të rëndësishme, njerëz që merren me arsimin në Kosovë. Madje ata vlerësojnë se kjo është e domosdoshme.

Ismet Potera nga Instituti Pedagogjik kompletimi i shkollave me një staf psiko-pedagogjik është shumë i domosdoshëm, sado që nuk i zgjidh të gjitha problemet.

“Kompletimi i shkollave me këtë stafin profesional ose shërbimin psiko-pedagogjik është shumë i domosdoshëm por nuk i zgjidh problemet, për shkak se edhe më parë në shkollat ku i kanë dy kuadrot kanë probleme të tjera. Kështu që do të ishte një ndihmesë shumë e madhe për mësimdhënësit sepse do ta kenë një mbështetje profesionale, ndërsa nuk e zgjidh problemin në përgjithësi por është më mirë që një segment së paku të rregullohet sesa të mos rregullohet fare”, deklaron ai për Ekonomia Online.

Ndërsa Bardha Qirezi nga kompania e konsultimeve për edukim “Edutask”, thotë se ky staf është shumë i nevojshëm, por se kjo duhet të bëhet me plan të mirëfilltë për të pasur sukses në punën me nxënësit dhe mësimdhënësit.

“Kjo është e domosdoshme dhe mënyra se si do të zbatohet kjo nismë ose intervenim është shumë e rëndësishme. E para e punës psikologët në shkolla janë të nevojshëm për shkak se ata përkrahin jo vetëm nxënësit por edhe mësimdhënësit, roli i psikologëve në shkolla në shumë vende kryesisht koncentrohet për të përkrahur nxënësit që ata të kenë sukses akademik por edhe ti përkrahin me sjellje, me shëndetin mendor dhe aspektet emocionale që mund ti kenë”, tha Qirezi.

Javën e kaluar, organizata jo qeveritare për “Mendim Kritik dhe Veprim Feminist”, kishte protestuar me moton “Mos i dhunoni vajzat”.

Në Prishtinë është protestuar edhe nga nxënësit e gjimnazeve “Sami Frashëri”, “Xhevdet Doda”, dhe “Ahmet Gashi”, pas një ngacmimit që ka ndodhur ndaj një të miture nga dy të mitur tjerë në një shkollë të Prishtinës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore