Lajme

Rritja e numrit të forcave të EUFOR-it në Bosnje dhe Hercegovinë – “frika nga një tjetër luftë e përgjakshme”


Automjetet e EUFOR-it

Potencialiteti i një shpërthimi të mundshëm lufte, pas asaj që po ngjan në Ukrainë, ka bërë që Forcat paqeruajtëse e Bashkimit Evropian në Bosnje dhe Hercegovinë – EUFOR, të shtojë konsiderueshëm prezencën dhe të rris numrin e pjesëmarrësve.

Gazeta boshnjake Oslobodjenj shkruan se “një kontingjent prej 500 trupash shtesë janë dërgua së fundmi në vendin tonë për të operuar si pjesë e misionit Althea të EUFOR-it”.

“Përveç kësaj, është bërë e ditur se 3500 ushtarë të tjerë të forcave rezervë janë në gatishmëri dhe se ata mund të angazhohen, përkatësisht të dërgohen në BeH, në çdo kohë”.

Si pjesë e forcimit të pranisë së EUFOR-it në BiH, gjatë fundjavës u dorëzuan transportues të blinduar të personelit, të cilët nga vendkalimi kufitar në “Bosanski Samac” në bazën në Butmir u filmua nga qytetarët.

Vetëm pas përshkallëzimit në Ukrainë, komuniteti ndërkombëtar kuptoi se BiH ishte një pikë nevralgjike në Ballkan dhe se ishte e nevojshme të rriste praninë e saj ushtarake.

Gazeta, në shkrimin në formë opinioni, ankohet se “25 vjet pas luftës katastrofike nuk kishim fuqi të krijonim shtet, 25 vjet me ngulm luajmë vetëm për kombëtaret tona, serbe, boshnjake dhe kroate, dhe për shkak të të njëjtave kombëtare kemi vuajtur tragjikisht”.

Kjo është thirrja e fundit për të ardhur në vete, momenti i fundit për t’u larguar dhe për t’u bërë pjesë e botës normale. A jeni gati të sakrifikoni fëmijët tuaj për miliona serbë, boshnjakë dhe kroatë?”, përfundon shkrimi.

Edhe nga EUFOR e kanë komentuar shtimin e forcave.

Ata thanë se përkeqësimi i situatës së sigurisë në nivel ndërkombëtar mund të shkaktojë paqëndrueshmëri në Bosnje dhe Hercegovinë dhe se vendosja e këtyre forcave është masë paraprake.

“Po ndërmerren masa për të forcuar stabilitetin në BeH, duke pozicionuar një numër të mjaftueshëm të forcave të afta në vend që do t’i japin mbështetje institucioneve të BeH-së duke ruajtur një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm”, ka thënë EUFOR.

Vendosja e forcave do të zgjasë deri në 8 mars dhe trupat e EUFOR-it do të vendosen në zona të thella në BeH.

Të gjitha këto aktivitete kryhen në përputhje me Marrëveshjen e Përgjithshme Kornizë për Paqe në BeH, thuhet në njoftim.

BE-ja javën e kaluar vendosi të rrisë forcat e saj EUFOR në 1,100 trupa nga 600 duke dërguar rezerva nga Austria, Bullgaria, Rumania dhe Sllovakia për të shmangur paqëndrueshmërinë e mundshme pas pushtimit rus të Ukrainës.

Bosnja ndodhet qindra milje larg luftimeve, por po përballet me një lëvizje separatiste serbe të Bosnjës gjithnjë e më bindëse që analistët thonë se ka të paktën mbështetje të heshtur nga Moska.

“Aeroplanmbajtësja Charles de Gaulle aktualisht po kryen trajnime operacionale në Detin Mesdhe dhe, nga e hëna e 7 marsit, avioni i saj Rafale do të kryejë fluturime në Ballkanin Perëndimor duke përfshirë Bosnje-Hercegovinën,” tha EUFOR.

Zyrtarët e lartë të NATO-s dhe BE-së kanë paralajmëruar se paqëndrueshmëria nga lufta në Ukrainë mund të përhapet në Ballkanin Perëndimor, Moldavi dhe Gjeorgji.

Bosnja, ashtu si Ukraina, ka thënë prej kohësh se dëshiron të anëtarësohet në NATO – një pozicion që ka zemëruar Rusinë.

Moska tha në mars të vitit të kaluar se do të reagonte nëse Bosnja do të ndërmerrte hapa drejt bashkimit me aleancën ushtarake të udhëhequr nga SHBA.

Serbët e Bosnjës, të udhëhequr nga pro-rusi Milorad Dodik, duan që vendi të mbetet neutral dhe të qëndrojë jashtë NATO-s.

Dodik, i cili është anëtar serb i presidencës trepalëshe të vendit, ka iniciuar krizën më të keqe politike të Bosnjës që nga fundi i luftës së saj në vitet 1990, duke sfiduar institucionet shtetërore si pjesë e përpjekjes për një kohë të gjatë të serbëve për t’u shkëputur dhe përfundimisht për t’u bashkuar me Serbinë fqinje.

EUFOR, i cili zëvendësoi trupat paqeruajtëse të NATO-s në Bosnje në vitin 2004, përbëhet nga rreth 3,500 personel – 600 prej tyre aktualisht të dislokuar në vend.

EUFOR është vendosja ushtarake e BE-së që mbikëqyr zbatimin ushtarak të Marrëveshjes së Dejtonit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore