Sport

Rritet interesimi për Belotti-n, tre oferta të reja për të


Andrea Belotti është futbollist i lirë, pasi nuk vendosi ta vazhdojë kontratën me klubin e Torinos.

Në këtë mënyrë, shumë ekipe janë vënë pas tij, ku do të mund ta transferonin sulmuesin italian pa shpenzuar asnjë cent.

Ekipi favorit për transferimin e 28-vjeçarit ishte Roma, por tani në garë kanë hyrë edhe disa ekipe tjera.

Nga Franca, Nice dhe Monaco kanë nisur kontaktet me sulmuesin italian, ndërsa në skenë është shfaqur edhe Galatasaray që është i gatshëm të plotësojë dëshirat e Belotti-t.

Nice po kërkon një sulmues që premton gola dhe për momentin ka dy emra kryesor, Andrea-n dhe Cavani, ndërsa te Monaco e shohin Belotti-n si pasuesin ideal të Ben Yedder.

Në krahun tjetër, Galatasaray po zhvillon një afat kalimtar veror shumë pozitiv dhe pasi transferoi pikërisht nga Serie A dyshen Mertens – Torreira, tani ata janë të gatshëm t’i plotësojnë edhe kërkesat e Belotti-t.

Gjithsesi, mediat italiane bëjnë me dije se në “pole-position” qëndron Roma, por tani skuadra e Murinho-s ka shumë konkurrencë dhe Belotti mund të tundohet nga ofertat që mund t’i vijnë në orët e fundit dhe zhvillime interesante priten në orët e ardhshme.

Kujtojmë që Belotti është pjesë e Torinos që nga vera e vitit 2015. Ai deri më tani numëron 251 ndeshje në të gjitha garat me fanellën e klubit të Torinos, prej të cilave ka shënuar 113 gola.

Belotti gjithashtu numëron edhe 44 ndeshje me kombëtaren e Italisë, prej të cilave ka shënuar 12 gola.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore