Lajme

Rritet inflacioni mujor dhe vjetor, vazhdon edhe ngritja e çmimeve të konsumit


Ilustrim

Pagat në Kosovë po vazhdojnë të mbesin të njëjta, ndryshe nga çmimet.

Edhe sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), shkalla e inflacionit është duke vazhduar të rritet në përmasa shqetësuese.

E kjo rrjedhimisht shkakton edhe ngritje të çmimeve, kryesisht të produkteve ushqimore, siç janë buka, drithërat, mishi, qumështi, djathi dhe vezët.

Në publikimin e fundit të ASK-së,  “Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit” (IHÇK) për muajin gusht 2021, inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte më i lartë në një mesatare prej 1.2% në muajin gusht 2021, krahasuar me muajin korrik 2021.

Sipas ASK-së, kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te produktet si: bukë dhe drithëra (0.4%), mish (1.1%); qumësht, djathë dhe vezë (3.7%); perime (9.4%); pije alkoolike (1.0%).

Ngritje të çmimeve ka pasur edhe te lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet, (2.7%), mobilie dhe orendi, qilima dhe mbulesa të tjera dyshemeje (1.7%), blerje e automjeteve (0.3%), karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal (2.6%).

“Shërbime të tjera në lidhje me pajisjet personale të transportit (9.9%), shërbime për transport (9.0%) – (ngritje e çmimeve të biletave të transportit ajror), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1.2 për qind në Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK)”.

Në publikimin e ASK-së, po ashtu thuhet se norma vjetore e inflacionit e matur në muajin gusht 2021 me muajin gusht 2020 ishte më e lartë në një mesatare prej 4.7%.

Astrit Ratkoceri, njohës i ekonomisë, në një përgjigje për Albanian Post ka thënë se ngritja e çmimeve të konsumit ndikon në varfërimin e shportës së konsumatorit, si dhe rritja e çmimeve të produkteve elementare ndikon edhe në rënien e kërkesës për produkte të tjera.

Ai shifrat e publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) i ka konsideruar si shqetësuese.

“Shifra të tilla si 1.2% brenda një muaji apo 4.7% nga viti i kaluar janë me të vërtet të larta si do që të jetë duhet pasur parasysh që viti i kaluar ishte një vit jo normal ku përballja me pandeminë kishte ndikuar shumë edhe tek funksionimi i bizneseve”, ka thënë Ratkoceri.

Për ngritjen e çmimeve të produkteve, sipas Ratkocerit, rol ka pasur edhe mërgata.

“Periudha për të cilën po flasim e këtij viti ka qenë shumë më normale pastaj rol të madh edhe në ngritjen e përgjithshme të çmimeve ka luajtura mërgata e cila këtë vit ka kaluar kohë më të madhe në Kosovë rrjedhimisht edhe ka shpenzuar më shumë e këtë situatë e kanë shfrytëzuar bizneset në Kosovë”, ka thënë ai.

Sipas tij, nëse ka rritje të çmimeve edhe në muajt e ardhshëm sfiduese do të jetë për shportën e konsumatorit.

“Edhe me ngritje çmimesh pjesa dërmuese e të cilave vërehet se ka një tendencë të normalizimit apo rënies në muajt pasues nga ata që po flasim. Si do që të jetë në rast të vazhdimit të rritjes së çmimeve në këto norma edhe në muajt e ardhshëm me të vërtet do të jetë sfidë për shportën edhe ashtu të varfër të konsumatorit”.

Me termin inflacion përcaktohet rritja e çmimeve bazë të konsumit dhe shërbimeve, ose anasjelltas shkalla e rënies së fuqisë blerëse të konsumatorit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore