Aplikacione

Rriten aksionet e Affirm pas partneritetit me Amazon


Aksionet e kompanisë financiare Affirm Holdings Inc janë rritur me 43 për qind pasi kompania u bë partnere me Amazon.com Inc lidhur me shërbimin “bli tani, paguaj më vonë” (BNPL) në dispozicion të klientëve të caktuar të gjigantit të tregtisë elektronike.

Agjencia e lajmeve, “Reuters”, tregon se ky shërbim është tregtuar si një alternativë për kartat e kreditit dhe ka marrë popullaritet gjatë periudhës së pandemisë pasi konsumatorët kanë kërkuar opsione që i bëjnë blerjet e tyre më të lehta.

Këtë muaj, Square Inc ra dakord për të blerë pionierin australian BNPL Afterpay Ltd për 29 miliardë dollarë dhe një raport ka nxjerrë se në korrik Apple Inc dhe Goldman Sachs ishin duke përgatitur një version të ngjashëm të këtij shërbimi.

Lidhja e Affirm do të lejojë klientët e zgjedhur të Amazon-it të ndajnë koston totale të blerjeve prej 50 dollarësh ose më shumë në pagesa të thjeshta mujore duke përdorur shërbimin e tij. Dhe në muajt e ardhshëm, funksioni do të shfaqet për më shumë klientë.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kompania nëntë vjeçare është bërë një nga firmat më të njohura BNPL dhe partnerët e saj përfshijnë Adidas AG, Shopify Inc dhe Walmart Inc.

Affirm u ngarkon tregtarëve një tarifë për të ofruar hua të vogla të shitjes, të cilat blerësit i paguajnë me këste, duke anashkaluar kontrollet e kreditit.

Aksionet e Affirm, të cilat debutuan në Nasdaq në muajin janar, ishin 97 dollarë në tregtimin e zgjeruar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore