Kosova

Rreziku për një tjetër Asociacion komunash në Kosovë – atë të boshnjakëve


“Kërkesa ime është formimi i dy komunave të boshnjakëve”, tha deputetja boshnjake Adriana Hoxhiq për Albanin Post kur është pyetur se a do ta votojë qeverinë “Kurti 2”

Hoxhiq shtoi se shpreson që “Kurti me aktivitetin e tij do të tregojë që komuniteti boshnjak është i mirëseardhur”.

“E vetmja mënyrë që boshnjakët të mbesin si boshnjakë dhe jo të asimiluar është themelimi i komunave me shumicë boshnjake”.

Por, ky plan i Hoxhiq ishte përgatitur më herët.

Ish-deputetja boshnjake, Duda Balje theksoi për Albanian Post se ujdia e Hoxhiq me Listën Serbe është bërë para zgjedhjeve të 14 shkurtit.

“Plani ka qenë që pas krijimit të komunave me shumicë boshnjake ato do t’i bashkohen Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, duke u bërë sistem paralel i Kosovës”, potencoi Balje.

Megjithatë ajo konsideron që jetësimi i këtyre dy komunave është vështirë i realizueshëm.

“Është një prej kushteve që Kurti nuk mundet t’ia plotësojë menjëherë”, shtoi ajo.

Për hulumtuesin e D4D, Allen Meta “është më se e domosdoshme të mos lejohet krijimi i këtyre komunave të cilat më pas kanë për qëllim bashkimin me komunat me shumicë serbe”.

“Personalisht konsideroj që një kushtëzim i tillë, mund të jetë shumë i rrezikshëm politikisht, e i cili mund të ndikojë poashtu te komuniteti boshnjak e të cilët me pastaj do t’i bënte si tërësi vartës të Listës Serbe, pasi që si synim në qarqet boshnjake kjo ide ka qarkulluar që moti, mirëpo rreziku i bashkimit me komuna serbe ekziston”, tha Meta.

Sipas Metës, duhet të parë me shumë kujdes kjo çështje, që ndarja nga një komunë e caktuar e pastaj bashkimi me një tjetër të mos lejohet në asnjë mënyrë.

“Sidomos që tani më është vërejtur edhe me një bashkëpunim të ngushtë të Hoxhiq, dhe bujës së madhe rreth votave të cilat i ka marrë subjekti politik i saj”.

Megjithatë, analisti politik Rron Gjinovci konsideron që “Hoxhiq nuk është fare relevante për krijimin e qeverisë, pasi mendojë që koalicioni fitues nuk është i varur nga vota e saj”.

“Mënyrë të tilla shantazhuese veç e tregojnë veprimtarinë e saj politike që sipas gjitha gjasave është një veprimtari që po të ishte Kosova një vend ku sundon ligji, zonja Hoxhiq do të ishte duke diskutuar me prokuror tash e jo duke bërë shantazhe publike”, theksoi Gjinovci.

Si të rrezikshme idenë e Hoxhiq e sheh është analisti politik Fitim Salihu, pasi sipas tij “kjo është e rrezikshme në praktikë por e mundshme dhe e pakapërcyeshme në teori.

“Një rrezik i tillë i përcjellë gjithnjë minoritetet dhe ligjërisht nuk kemi mundësi qe t’i mbrojmë nga ky “invazion elektoral” i Listës Serbe. Teorikisht, potencialisht kjo do të mund t’i ndodhte edhe serbëve edhe secilit komunitet tjetër që jeton në Kosovë”, tha Salihu.

Megjithëkëtë sipas tij Ligji, bazuar në Kushtetutë dhe Pako e Ahtisarit, është ndërtuar asisoj që nuk të lë hapësirë manovrimi në këtë çështje.

Ndërkohë, Prokuroria e Shtetit në Kosovë ka nisur hetimet ndaj kandidates për deputete të komunitet boshnjak, Adriana Hoxhiq, e cila ka arritur t’i sigurojë rreth 6400 vota në zgjedhjet e 14 shkurtit në komunat ku s’jeton asnjë boshnjakë i Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore