Lajme

“Rrezik incidenti” në Mesdhe me anijet ruse, paralajmëron Italia


Marina ruse ka rritur shumë praninë e saj në Mesdhe që nga fillimi i luftës në Ukrainë dhe ka një “qëndrim agresiv”, duke çuar në “rrezik incidenti”, paralajmëron kreu i marinës italiane.

“Efektet e menjëhershme në sigurinë tonë lidhur me luftën në Ukrainë janë identifikuar në det dhe janë të dukshme me rritjen mbresëlënëse të pranisë së flotës ruse në Mesdhe dhe Detin e Zi”, pohoi Admirali Enrico Credendino, cituar nga agjencitë AGI dhe Ansa.

Ai shtoi se “një nivel i tillë i pranisë së anijeve ruse” nuk është vërejtur as në kohën e Luftës së Ftohtë”, nënvizoi ai para anëtarëve të Komisionit të Mbrojtjes të Dhomës së Deputetëve.

“Numri i lartë i anijeve ruse nuk është një kërcënim i drejtpërdrejtë për territorin kombëtar, por rrit tensionin dhe rusët kanë një qëndrim agresiv. Ekziston rreziku i një incidenti të mundshëm dhe nëse ndodh nuk e dimë se si mund të përfundojë”, shtoi oficeri italian.

Sipas admiralit, flota ruse ka kaluar nga “një anije e vogël mbështetëse e cila ishte e pranishme në 2015 (në portin sirian) në Tartous” në “pesëmbëdhjetë anije dhe tre nëndetëse që ishin të pranishme në Mesdhe deri në pak javë më parë.

“Mesdheu është një zonë turbulence, me konkurrencë të vazhdueshme midis shteteve bregdetare për akses në burimet ekonomike dhe aktivitete të paligjshme, nga kontrabanda te trafikimi i qenieve njerëzore. Prandaj duhet të monitorohet vazhdimisht”, përfundoi Admirali Credendino.

Mesdheu është një zonë strategjike për Evropën dhe NATO-n. 65 për qind e furnizimit me energji të Bashkimit Evropian dhe 30 për qind e tregtisë botërore kalojnë përmes tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore