Sport

Rregulli që detyron klubet për lojtarët e akademisë, përfundon në gjykatën e BE-së


Një gjykatës belg i kërkoi Gjykatës së Bashkimit Evropian (BE) në Luksemburg të shqyrtojë nëse rregulli i vendosur nga UEFA, që u kërkon klubeve një numër minimal të lojtarëve të rritur në akademi është në përputhje me ligjet evropiane të konkurencës dhe punësimit.

Sipas raportimeve nga spanjollja “AS”, gjyqtari i Gjykatës së Shkallës së Parë në Bruksel, emri i të cilit ende nuk bëhet i ditur e ka çuar çështjen të premten në Gjykatën e BE-së.

Rregulli në fjalë, u imponua klubeve nga UEFA në vitin 2005 dhe nga sezoni 2008/09 hyri në fuqi rregullisht. Ky rregull shikohet nga shumë klube si kufizim në lirinë e përzgjedhjes së lojtarëve.

Vendimi i Gjykatës së BE-së, mund të jetë ai që do të çoj në anulimin e këtij rregulli.

UEFA në bazë të këtij rregulli u kërkon klubeve që brenda listës së 25 lojtarëve, duhet të përfshijnë minimumi tetë lojtarë, të cilët nga mosha 15 deri 21-vjeç, të jenë stërvitur të paktën tre vite me akademinë ose shoqatat anëtare të klubit.

Nga tetë lojtarët, gjashtë duhet të jenë në listë për ndeshje. Ndërsa, nuk është bërë e detyrushme prania e tyre në fushë.

Ky ligj është rasti i dytë që përfundon brenda pak kohësh në Gjykatën e BE-së, pas mosëmarrveshjes së klubeve dhe UEFA-s për “Super League”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore