Kosova

“Rrahje, akuza, sharje” – procesi i punës në Kuvendin e Kosovës gjatë vitit 2023


Rrahje në Kuvend mes deputetëve në muajin korrik.

Me mungesë kuorumi, akuza, sharja dhe rrahje është përshkruar procesi i punës së Kuvendit të Kosovës për vitin 2023.

Kuvendi i Kosovës, i cili përfaqëson organin më të lartë legjislativ të një shteti demokratik, ishte kthyer në “sallë përleshjesh”, më 13 korrik meqë pati përplasje të ashpër fizike mes opozitës dhe sigurimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit e disa ministrave të Qeverisë, pasi deputetët opozitarë vendosën që të mos lejojnë vazhdimin e fjalimit të Kurtit.

Situata në Parlament eskaloi fillimisht pasi deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, vendosi një letër ku Albin Kurti dukej me hundë të zgjatur si simbolikë e gënjeshtarit, letër ky i larguar pas disa sekondave nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.

Ky akt i Bislimi provokoi situatën edhe më tej pasi Mërgim Lushtaku, si kundërpërgjigje ndaj vendimit të Bislimi hodhi ujë në drejtim të Kurtit fillimisht dhe më pastaj vartësit të tij Bislimit, derisa ky i fundit e goditi me shishe të ujit deputetin e PDK-së.

Situata agravoi në përleshje fizike pasi deputetët e PDK-së u përplasën me disa nga ministrat dhe deputetët e opozitës.

Tensionimi i situatës në Kuvendin e Kosovës, përfshiu edhe ballinat e mediave prestigjioze ndërkombëtare.

Prokuroria Themelore në Prishtinë përmes një njoftimi për media kishte njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa, Mërgim Lushtaku dhe Bekim Haxhiu.

Në tetor, një pjesë e partive opozitare në Kosovë kishin vendosur që të mos votojnë asnjë marrëveshje ndërkombëtare që e sjell qeveria në Kuvend, për shkak të kursit problematik të këtij pushteti në raport me aleatët e shtetit, por nga qeveria akuzonin se mos-votimi po ndodhë për shkak të inateve politike.

Foto: Albanian Post

Përveç këtyre mungesë kishte edhe në miratimin e ligjit, mungesës së kuorumit që bënin që seancat të dështojnë dhe ngecje edhe në aspektin e mbikëqyrjes parlamentar ndaj qeverisë.

“Ky vit është pak më i dobët sesa ai i vitit të kaluar të Kuvendit të Kosovës, pasi ka më pak ligje të miratuar në krahasim me vitin e kaluar ku janë miratuar mbi 100 ligje, ndërsa kësaj radhe kemi diku afro vetëm 60 ligje që janë miratuar në Kuvend. Kuvendi në përgjithësi është karakterizuar me shumë fenomene, ka pasur përdorim të gjuhës jo parlamentare mes deputetëve që eskalojë në dhunë gjatë muajit korrik”.

“Po ashtu, ka pasur mungesa të mëdha të deputetëve, kështu për pasojë shumë seanca kanë dështuar si pasojë e mungesës së kuorumit”, thotë monitoruesja e Kuvendit, Violeta Haxholli.

Sipas saj, as mbikëqyrja nuk ka qenë në nivelin e duhur, pasi ka pasur pak aktivitete të mbikëqyrjes nga ana e deputetëve ndaj përfaqësuesve të qeverisë.

Ndërsa, sipas shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, Kuvendi gjatë këtij viti ka pasur performancë të mirë, por në faza të caktuara ka pasur ngecje, duke fajësuar opozitën.

“Çka e ka karakterizuar Kuvendin në tri vite mund të themi funksionim me etapa të dinamikës së shtuar apo ngecjeve. Kjo ka qenë një karakteristik e vazhdueshme. Ngecjet kanë ardhur kur ka pasur bllokadë apo mospajtime mes pozitës dhe opozitës”.

Për rrahjen që kishte ndodhur në Kuvend, Kusari-Lila ka fajësuar opozitën.

“Jemi munduar që komunikimin dhe natyrisht edhe diskutimin në aspektin e nivelit të parlamentarizmit të mbajnë edhe opozitën, përkundër që vështirësitë kanë qenë evidente”.

“E përmendët rrahjen, që është lidhur me një kauzë që opozita është munduar të shtyjë përmes publikimit të përgjimeve të bisedave të mija me ish-përfaqësuesin e Listës Serbe në Kuvend”, ka thënë Kusari-Lila për agjencinë e lajmeve KosovaPress.

Kuvendi gjatë vitit 2023 ka mbajtur gjithsej 78 seanca të cilat për shkak të planifikimit të dobët dhe mungesës së deputetëve prodhuan 27 vazhdime, ndërkaq u mbajtën edhe 13 seanca të jashtëzakonshme dhe dy seanca solemne.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore