Lajme

Rrahja në Kuvend, aktakuzë ndaj Bislimit, Beqës, Haxhiut dhe Lushtakut


Prokuroria Themelore në Prishtinë përmes një njoftimi për media ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa, Mërgim Lushtaku dhe Bekim Haxhiu, lidhur me përleshjen fizike në seancën e 13 korrikut në Kuvendin e Kosovës.

Bilsimi, Lushtaku dhe Haxhiu ngarkohen për veprën penale “Sulmi, ndërsa Beqa gjithashtu ngarkohet me veprën penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”.

Ndërsa për deputetin Haxhiu ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale “Lëndimi i lehtë trupor”.

“Prokurori i Shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat iu vihen në barrë”, ka njoftuar Prokuroria.

Si rrodhi ngjarja?

Në seancën e 13 korrikut, situata në Parlament kishte eskaluar fillimisht pasi deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, vendosi një letër ku Albin Kurti dukej me hundë të zgjatur – që karakterizon personazhin e “Pinokiut” – që përdoret si simbolikë e gënjeshtarit, në një kohë kur ai po fliste për situatën në Veri të Kosovës.

Më këtë veprim të deputetes Musliu, nuk u pajtua zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili u ngrit nga ulësja e tij ku po qëndronte, dhe doli për ta larguar atë letër vetëm pas disa sekondave.

Ky akt i Bislimi provokoi situatën edhe më tej; pasi Mërgim Lushtaku, nga PDK, si kundërpërgjigje ndaj vendimit të Bislimit hodhi ujë në drejtim të Kurtit fillimisht – i cili po fliste në foltoren e kuvendit – dhe më pastaj vartësit të tij Bislimit, derisa ky i fundit iu kundërpërgjigj duke e goditur me shishe të ujit deputetin Lushtaku.

Situata agravoi në përleshje fizike pasi deputetët e PDK-së u përplasën me disa nga ministrat e qeverisë Kurti dhe deputetët e mazhorancës.

Nuk munguan as grushtet e shtyrjet.

Pas tensionimit të situatës në sallën e Parlamentit të Kosovës intervenoi edhe mbrojtja e afërt e kryeministrit me qëllim; ndalimin e përleshjeve të mëtejme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore