Lajme

Rrahja në Kuvend, Muja: PDK-ja kishte për qëllim që Kosova ta ketë një njollë


Deputeti i Levizjes Vetevendosje, Armend Muja.

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, e ka konsideruar si skenar të Partisë Demokratike të Kosovës rrahjen që ndodhi të enjten e 13 qershorit në Kuvend, në mes të deputetëve të PDK-së dhe kabinetit qeveritar, duke shtuar se me një gjë të tillë është përballur edhe në komisione parlamentare.

“Atë ditë e kam menduar sepse ashtu ka ndodhur edhe vitin e kaluar, është si sport i opozitës kjo. Siç ekziston një targetlistë e tyre, edhe vitin e kaluar ishte njëjtë një përpjekje e ngjashme, mirëpo i jemi shmangë asaj, edhe ditë më herët ishte. Siç e kanë sport, nuk e di tek baza e tyre, dikujt i duket interesant që të goditet me shuplakë Besniki (Bislimi), Armend…, nuk e di pse, mbase tek këto shtresat primitive politike ka edhe rëndësi kjo punë por nuk e kuptoj. Se një vend kur nuk ka dhunë është Kuvendi i Kosovës”, theksoi ai për “Ekonomia Online”.

Ngjarjet e tilla sipas deputetit të VV-së, janë si rezultat i mungesës së fuqisë intelektuale dhe mungesës së kulturës politike të opozitës.

Për mua, pohon Muja “mjerisht është bërë goxha normale këto denigrimet, shtytjet fizike, dhe unë besoj se është reflektim i mungesës së fuqisë intelektuale dhe mungesës së kulturës politike, deri në stadin ku ti zhvillon projekt politik dhe s’ke nevojë me u rreh me kundërshtarin”.

Sipas tij, PDK-ja kishte për qëllim që me atë rast Kosova ta ketë një njollë; që mos të quhet si fanar i demokracisë.

“Unë besoj se PDK-ja kishte një qëllim atë ditë që Kosova ta ketë një njollë që mos ta quajmë vetën si fanari i demokracisë, vërtetë e kanë planifikuar bashkë me azilantë nga Kosova në Shqipëri dhe besoj se kjo ka qenë përpjekje që Kosova të mos vetëquhet më si fanar i demokracisë”.

“Ajo ishte përpjekja dhe qëllimi ishte të degradohet kryenegociatori i Kosovës (Besnik Bislimi), ndërkohë që ai është në ballafaqim me Serbinë”, beson Muja përkundër se zëvendëskryeministri Bislimi e gjuajti me shishe të ujit deputetin e PDK-së, Mergim Lushtaku.

Tentime për dhunë nga opozita, pretendon Muja që ka pasur edhe vitin e kaluar.

“Po të mos ishte ajo shishe, do të ishte diçka tjetër. Po e vërteta është që atë ditë do të kishte dhunë sepse ishte skenar, ishte skenar. Kësaj here nga PDK-ja me mbështetje anësore nga AAK-ja. Vitin e kaluar ishte e kundërta, ishte AAK-ja lider dhe me mbështetje nga PDK-ja”.

Si rrodhi ngjarja?

Situata në Parlament eskaloi fillimisht pasi deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, vendosi një letër ku Albin Kurti dukej me hundë të zgjatur – që karakterizon personazhin e “Pinokiut” – që përdoret si simbolikë e gënjeshtarit, në një kohë kur ai po fliste për situatën në Veri të Kosovës.

Më këtë veprim të deputetes Musliu, nuk u pajtua zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili u ngrit nga ulësja e tij ku po qëndronte, dhe doli për ta larguar atë letër vetëm pas disa sekondave.

Ky akt i Bislimi provokoi situatën edhe më tej; pasi Mërgim Lushtaku, nga PDK, si kundërpërgjigje ndaj vendimit të Bislimit hodhi ujë në drejtim të Kurtit fillimisht – i cili po fliste në foltoren e kuvendit – dhe më pastaj vartësit të tij Bislimit, derisa ky i fundit iu kundërpërgjigj duke e goditur me shishe të ujit deputetin Lushtaku.

Situata agravoi në përleshje fizike pasi deputetët e PDK-së u përplasën me disa nga ministrat e qeverisë Kurti dhe deputetët e mazhorancës.

Nuk munguan as grushtet e shtyrjet.

Pas agravimit të situatës në sallën e Parlamentit të Kosovës intervenoi edhe mbrojtja e afërt e kryeministrit me qëllim; ndalimin e përleshjeve të mëtejme.

Në tentim për të shtensionuar situatën kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ndërpreu seancën fillimisht për 30 minuta e më pastaj për 2 orë, teksa kërkoi nga organet e sigurisë që të vazhdojnë punën e tyre me gjithçka që është e nevojshme.

Pas rinisjes së seancës plenare, përsëri përplasjet nuk munguan – jo si në atë paraprake. Deputetët e PDK-së dhe të partive të tjera opozitare kërkuan që të ndërpritet seanca, mirëpo shumica insistonte që vazhdonte me miratimin e Projektligjeve që ishin paraparë.

Të gjendur në këtë situatë, ligjvënësit e partisë më të madhe opozitare, tentuan që ta bllokojnë punën e kuvendit, madje deputetja Ganimete Musliu, dhe Floretë Zenjullahu, mbanin dy pankarta në duar; në njërën ishte Kurti, në tjetrën shefja e grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila.

Të dy këta ishin portretizuar si “Pinokio” (gënjeshtarë), ndërsa anë ato pankarta kishin edhe një mbishkrim në gjuhën serbe “Zdravo”, kjo pas audio-incizimeve që u publikuan këto ditë, ku dëgjohej kryeshefja e deputetëve të VV-së Kusari-Lila, duke koordinuar politikat shtetërore me kriminelin dhe terroristin, Milan Radojiçiç.

Thirrja që deputetja Musliu e përsëriste vazhdimisht ishte “Qeveria ‘Zdavo’ nuk kalon”.

Seanca do të vazhdonte normalisht vetëm pas pranimit të kërkesës së PDK-së; largimi nga seanca plenare e zëvendëskryeministrit Bislimi, dhe Ministrit të Financave, Hekuran Murati, pasi që të njëjtit konsideroheshin nga deputetët e PDK-së si shkaktarë të dhunës.

Pas largimit të tyre, opozita do të bojkotonte seancën plenare, si shenjë frustrimi ndaj qeverisë, duke i lënë ata të vetëm që të miratonin ato Projektligje të parapara, çka edhe e bënë deri në orët e vona të mesnatës.

Shishja e Pushtetit dhe flakaresha e Opozitës – Parlamenti i Kosovës si dikur, por ndryshe

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore