Përballje

Ronaldo nuk pritet të debutojë as këtë javë me Manchester United


Me shumë mundësi, Cristiano Ronaldo nuk do të debutojë me fanellën e Manchester United as këtë javë.

Ronaldo pritej të debutonte këtë fundjavë në ndeshjen që Manchester United do ta zhvillojë kundër Newcastle United, mirëpo, impenjimi i tij në ndeshjet ndërkombëtare me Portugalinë, ndoshta do të shtyjë debutimin e tij me “djajtë e kuq”.

Pas rikthimit në Angli, Ronaldo duhet të bëjë një karantinim prej pesë ditësh në vilën e tij në Manchester, që do të thotë se CR7 do të ketë në dispozicion vetëm një ditë për tu stërvitur me shokët e skuadrës, para ndeshjes të së shtunës.

Pra, Ronaldo me shumë mundësi do të bëjë ndeshjen e parë zyrtare me Manchester United të martën në ndeshjen e parë të Ligës së Kampionëve kundër zviceranëve të Young Boys.

Kujtojmë që 36-vjeçari me dy golat e realizuar kundër Irlandës, theu rekordin duke u bërë golashënuesi më i mirë i historisë së futbollit në nivel kombëtaresh.

Mirëpo, për shkak se plotësoi numrin e kartonëve, ai nuk mund ta ndihmojë Portugalinë në ndeshjen që do ta zhvillojnë përballë Azerbajxhanit këtë të marte.

Portugezi rikthehet te skuadra e Manchester-it pas 12 vjetësh, pasi që kulmin e karrierës e arriti pikërisht aty.

Ai luajti për gjashtë sezone atje, ku arriti të shënojë 118 gola në 292 paraqitje në të gjitha garat, para se të largohej drejt Real Madrid-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore