Sport

Roma përgatit kontratë të re për Dybala-n


Paolo Dybala është duke kaluar në formë shumë të mirë me Romën, derisa drejtuesit e klubit thuhet se janë duke e përgatitur një kontratë të re për yllin argjentinas.

Siç raportohet nga “Calciomercato”, drejtuesit e Romës po kërkojnë të aktivizojnë një klauzolë të re në kontratën e Dybala-s, e cila do të rriste pagën e tij dhe do t’i hiqte klauzolën e tanishme të lirimit të kontratës.

Sulmuesi argjentinas aktualisht fiton 4.2 milionë euro neto në sezon dhe kjo do të rritet në 6 milionë euro, e mjaftueshme për të hequr automatikisht klauzolën momentale.

Kontrata aktuale e Dybala-s i lejon atij të largohet nga Roma për vetëm 12 milionë euro për një klub të huaj ose 20 milionë euro për një skuadër italiane.

Të gjitha palët duhet të bien dakord për marrëveshjen e re dhe kjo do të marrë pak kohë, thekson raporti nga media e lartcekur.

Dybala është i lumtur me Romën, por dëshiron të kuptojë planet e ardhshme për klubin, ashtu si edhe trajneri Jose Mourinho.

Palët pritet të takohen gjatë muajit mars dhe për të diskutuar të ardhmen e mesfushorit 29-vjeçar.

Argjentinasi i dha fund lidhjes shtatë-vjeçare me Juventus-in në verë dhe u bashkua me kryeqytetasit në një transferim të lirë, duke nënshkruar një marrëveshje trevjeçare.

Pavarësisht një problemi të shkurtër që e pati me dëmtim, fillimi i Dybala në Romë ka shkuar mirë dhe ai ka kontribuar në 13 gola në 16 ndeshje këtë sezon.

Në ndeshjen e fundit, Dybala shkëlqeu duke shënuar dy gola në fitoren e Romës ndaj Fiorentina-s me rezultat 2:0.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore