Lajme

Rohde dhe Komshiç urojnë presidenten Osmani për Ditën e Pavarësisë së Kosovës


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur të martën në takim ambasadorin e Gjermanisë, Jorn Rohde, i cili i ka dorëzuar asaj telegramin e urimit të presidentit gjerman, Frank-Walter Steinmeier, për 14-vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

E para e vendit e ka falënderuar ambasadorin gjerman për mbështetjen e vazhdueshme të shtetit gjerman ndaj Kosovës.

“Në takim është biseduar për situatën e përgjithshme në vend dhe rajon. Palët diskutuan edhe për punën e institucioneve të Kosovës të cilat kanë realizuar reforma përmbajtësore në fushën e sundimit të ligjit”, thuhet në njoftimin e zyrës së Presidencës.

Po ashtu, thuhet se Rohde, ka vlerësuar përparimin e dukshëm në luftën kundër korrupsionit.

“U diskutua se me parametra të tillë, të cilët ndihmojnë në forcimin e rendit dhe të ligjit, krijohen kushte për investitorë të jashtëm”.

Edhe, kryetari i Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Zheljko Komshiç, e ka uruar Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e festës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryetari i Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Zheljko Komshiç.

“Të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe juve personalisht, në emrin tim dhe në emër të qytetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës, ju uroj festën e Pavarësisë”.

“Të inkurajuar dhe të kënaqur nga përparimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve mike, jemi të bindur se rruga e bashkëpunimit ekonomik, politik dhe çdo tjetër bashkëpunimi dhe marrëdhënieve miqësore ndërmjet Bosnjës e Hercegovinës dhe Republikës së Kosovës do të jetë e një rëndësie të veçantë për qytetarët e vendeve tona”, thuhet në urimin e Komshiçit.

Sipas tij, të dyja palët kanë prioritete të përbashkëta strategjike.

“Bosnja dhe Hercegovina dhe Republika e Kosovës ndajnë prioritete të përbashkëta strategjike të politikës së jashtme, anëtarësimin në NATO dhe Bashkimin Evropian. Vetëm së bashku dhe në bashkëpunim me partnerë që ndajnë të njëjtat vlera mund të arrijmë qëllimin tonë”.

Qeveria e Kosovës, të martën e 15 shkurtit ka bërë të ditur logon e kësaj date të rëndësishme për shtetësinë.

Logoja e 14-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore