Lajme

RLI: Serbia sfidon NATO-n, duke kërcënuar Kosovën


Ilustrim

Gjasat për sulme të tjera të Serbisë në Kosovë, veçanërisht pas inkursionit terrorist të 24 shtatorit në fshatin Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të territorit kosovar, mbeten ende të konsiderueshme, vlerëson instituti amerikan për studime të sigurisë “Robert Lansing (RLI)” në një analizë kushtuar zhvillimeve të fundit.

“Serbia duket e gatshme të nxisë konflikte të përhershme në rajon, duke shfrytëzuar jo vetëm grupet serbe brenda Kosovës, por edhe grupet e rreshtuara përkrah Rusisë. Përderisa një pushtim konvencional i Serbisë mund të mos jetë i pashmangshëm”, alarmon RLI-ja, në dritën e realiteteve të reja gjeopolitike në kontinent, posaçërisht pas agresionit rus ndaj Ukrainës.

RLI konsderon se pavarësisht pranisë ushtarake të NATO-s në kuadër të misionit në Kosovë (KFOR), shteti serb vazhdon të përbëjë një kërcënim për Kosovën. Në analizë merret për referencë edhe thirrja e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, drejtuar Perëndimit për zgjidhjen e konflikteve në rajon, përpara se Rusia të rindezë një zjarr të madh.

“Ekziston shqetësimi se Serbia po synon strategjikisht të krijojë një front të dytë për Perëndimin duke mbështetur përpjekjet për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor. Serbia jo vetëm që e mbështeti publikisht Rusinë, por edhe i shpalli të jashtëligjshme stërvitjet ushtarake ndërkombëtare në shkurt të vitit 2022, pas fillimit të luftës ruse kundër Ukrainës”.

E zgjerimi i harkut të krizës që shtrihet nga lufta midis Ukrainës dhe Rusisë e deri te konflikti midis Izraelit dhe Palestinës, ndikoi në mënyrë substanciale në ecurinë e procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, duke e gjetur vetën nën hijen e sfidave më të rëndësishme të sigurisë për bashkësinë e organizuar ndërkombëtare.

Për shumë vëzhgues të huaj e vendorë, perspektiva e rrëshqitjes drejt skajeve të krizës nuk mund të izolohet; derisa u krijohet mundësia lojtarëve lokalë serbë të lidhur me interesat ruse të zgjerojnë hijen kërcënuese dhe të provokojnë konflikte ndër-etnike, tani rreziku i ri-përshkallëzimit rri i varur mbi mbarë Ballkanin Perëndimor të ngjeshur nga tensionet.

Tërheqja e Kosovës në gjirin euro-atlantik: Buhler dhe Shea zbërthejnë dilemat e (pa)sigurisë në optikën e sfidave gjeopolitike

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore