Lajme

Tërheqja e Kosovës në gjirin euro-atlantik: Buhler dhe Shea zbërthejnë dilemat e (pa)sigurisë në optikën e sfidave gjeopolitike


Ilustrim

Tërheqja e Kosovës sa më afër mekanizmave të Aleancës Veri-Atlantike (NATO) dhe Bashkimit Evropian (BE) në nëntë muajt e parë të vitit 2024 dhe sigurisht, dëgjimi i këshillave të miqve dhe aleatëve, konsiderojnë njohës emintentë të zhvillimeve politike, janë thelbësore për të përforcuar zinxhirin e sigurisë në Kosovë, por edhe për t’i zbutur tensionet në rajon.

Ky është vlerësimi i dy ish-zyrtarëve të lartë të NATO-s për dilemën e (pa)sigurisë në optikën e realiteteve të reja gjeopolitike, veçanërisht pas agresionit rus në Ukrainë dhe shpërthimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, por edhe dyshimeve në rritje për angazhimin e Shteteve të Bashkuara (SHBA) dhe shteteve tjera perëndimore ndaj pavarësisë së Kosovës.

Ish-zëdhënësi i NATO-s gjatë kohës së luftës në Kosovë, Jamie Shea, duke pasur parasysh pasiguritë gjeopolitike aktuale, sidomos pas zhvillimeve të fundit që kanë dëshmuar se paqja në rajon është akoma e brishtë, beson se gjëja kryesore në drejtim të parandalimit të thellimit të krizës është afrimi i Kosovës në strukturat euro-atlantike në pjesën e parë të vitit të ri.

“Duke marrë për bazë pasiguritë gjeopolitike, kryesorja është afrimi i Kosovës në strukturat e NATO-s dhe BE-së në nëntë muajt e parë të 2024, në mënyrë që çdo lider i ardhshëm i SHBA-së (ose lider evropian) ta ketë të pamundur të ndërrojë kurs. Serbia mund të vazhdojë të jetë fqinj i vështirë, por kapaciteti për të krijuar probleme serioze do mbetet i kufizuar”.

E gjenerali gjerman në pension, Erhard Buhler, ndonëse shprehet i sigurtë se përkundër sfidave aktuale të sigurisë kontinentale, përkushtimi i përgjithshëm i bashkësisë së organizuar ndërkombëtare ndaj pavarësisë së Kosovës, veçanërisht SHBA-ja dhe Gjermania, do të vazhdojë, rekomandon që politika e jashtme kosovare të jetë shumë e kujdesshme.

Në sytë e mprehtë të ish-komandantit të Forcës së NATO-s (KFOR), kohën e fundit ka pasur një varg të pakënaqësive në mesin e mbështetësve ekzistencialë të Kosovës, pikërisht për shkak të mosgatishmërisë për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën kujdesin e BE-së.

“Kosova nuk duhet të rrezikojë të humbasë mbështetjen e miqve. Pra, tash është koha për t’i dëgjuar këshillat e miqve më të mirë për të përmbushur të gjitha angazhimet e marrëveshjeve të arritura deri tash. Por ky apel i drejtohet edhe qeverisë serbe. Retorika agresive dhe kërcënimet nuk duhet të kenë vend mes fqinjëve evropianë”, vëren gjenerali gjerman.

Jamie Shea

Tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë bërë pjesë e një problemi më të madh të paqëndrueshmërisë në Ballkanin Perëndimor, duke qenë se nën hijen e konflikteve të mëdha, papritur shpërthejnë konfliktet e ngrira, posaçërisht në një rajon të rrethuar nga armiqësitë etnike, por edhe përqëndrimit tradicional të ndikimit midis SHBA-së dhe Rusisë.

Shumë vëzhgues kanë ngritur dilemën se deri në çfarë mase SHBA-ja, veçanërisht nëse Donald Trump rikthehet në krye të SHBA-së, do të vazhdojë të shohë Kosovën si prioritet, duke pasur parasysh sfidat kryesore në skenën ndërkombëtare, ndërsa shpesh është thënë se pala serbe shpreson që zgjedhjet në SHBA të prodhojnë politika që do t’i përshtaten Serbisë.

Megjithatë, në llupën e një ushtaraku dhe një specialisti të sigurisë, përkundër se rikthimi i Trumpit në krye mund të jetë një lloj satisfaksioni personal për lidershipin serb, rikonfigurimi i raportit të forcave në SHBA nuk paraqet ndonjë rrezik për Kosovën, por përkundrazi. Ata nuk kanë asnjë dyshim se SHBA-ja do të vazhdojë të mbetet e përkushtuar ndaj Kosovës.

“Trump mund të mos jetë përfshirë personalisht në çështjen e Kosovës, por ai nuk i ka ndaluar ndihmësit e lartë të punojnë për Kosovën dhe nuk e ka ndërprerë pjesëmarrjen e SHBA-së në KFOR. Unë mendoj se duhet të jemi mendje hapur për presidencën e dytë potenciale të Trumpit dhe të presim e të shohim se çfarë do të ndodh në të vërtetë”, deklaron Shea.

Buhler nga ana tjetër nuk ngutet të parashikojë rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në SHBA në tetor të vitit 2024, porse duke marrë parasysh premisën se dritarja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi do të mbyllet shpejt për shkak të procesit zgjedhor në SHBA, shton se pikërisht për këtë arsye Kosova duhet të angazhohet në mënyrë konstruktive në dialog.

Nuk mund të parashikoj rezultatin e zgjedhjeve. Por nëse supozimi është i drejtë, atëherë aq më shumë Kosova duhet të jetë konstruktive në procesin e dialogut. Askush nuk duhet të luajë me shqetësimet e njerëzve dhe të ngjallë frikëra për t’u larguar nga sfidat e tjera politike dhe premtimet e pambajtura të të dyja palëve”, nënvizon njëri ndër ushtarakët më emblematik evropian.

E zgjerimi i harkut të krizës që shtrihet nga lufta midis Ukrainës dhe Rusisë e deri te konflikti midis Izraelit dhe Palestinës, ka ndikuar në mënyrë substanciale në ecurinë e procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, duke e gjetur vetën nën hijen e sfidave më të rëndësishme të sigurisë për bashkësinë e organizuar ndërkombëtare.

Megjithatë, profesori i çëshjteve të sigurisë në Institutin e Strategjisë dhe Sigurisë në Universitetin e Exeterit në Britaninë e Madhe, ndonëse nuk e nënvlerëson në asnjë moment ashpërsinë e sfidave të sigurisë, parasheh që zhvillimet e fundit do të shërbejnë si shtysë për veprime decizive dhe përhapje të unitetit në gjirin e demokracive liberale.

Erhard Buhler

Luftërat në pjesë të ndryshme të botës edhe mund të destabilizojë rendin liberal përëndimor, thotë Shea, por edhe mund të shërbejë si mundësi për liderët politikë që të kthejnë velat nga erërat e pasionit popullor dhe të çojnë anijen e shtetit drejt portit të politikës së jashtme të mirë dhe të ruajnë stabilitetin e sigurinë në Ballkanin Perëndimor.

“Sigurisht, demokracitë duhet të jenë në gjendje të përballojnë shumë kriza njëkohësisht dhe të balancojnë shpërndarjen e përpjekjeve diplomatiko-ushtarake në disa fronte; por mund të kenë edhe efekte pozitive. Pra, krizat dhe luftërat mund të destabilizojnë rendin liberal ndërkombëtar, por mund t’i bindin liderët politikë që të tregojnë seriozitet drejt ruajtjes së rendit”.

Sa i përket paralajmërimeve të vëzhguesve për mundësinë e ripërtëritjes së konflikteve në Ballkanin Perëndimor dhe thyerjes së strukturës perëndimore të sigurisë, përkundër se përjashtohet në mënyrë kategorike nga gjenerali Buhler dhe profesori Shea, precedenti që do të vendosej nga fitorja e Rusisë në Ukrainë, paraqet rrezik për ngritjen e lëvizjeve seperatiste.

“Çdo zgjidhje tjetër përveç pavarësisë së plotë të Kosovës do të rindezte konfliktin dhe do të ishte shumë më keq se situata aktuale. Pra, ne mund të shkojmë vetëm përpara dhe jo mbrapa. Përparimi i ngadalshëm nuk është arsye për të ndryshuar strategjinë. Vetëm për të ecur më shpejt”, thekson Shea, i cili avokon vazhdimisht për njohjen e Kosovës.

Prandaj, në këtë drejtim, duhet të mbështetet Ukraina, deklarojnë njëzëri Buhler dhe Shea, në mënyrë që të fitojë luftën për të mirën e tablosë së sigurisë së kontintentit evropian dhe për të parandaluar zgjerimin e listës së skenarëve të dhunës që mund të rezultojnë për shkak të tensioneve ose nënprodukteve të pasioneve seperatiste në Ballkanin Perëndimor.

“Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës nuk duhet të ketë sukses. Kjo është arsyeja pse ne duhet të mbështesim Ukrainën. Situata në Ballkanin Perëndimor nuk mund të krahasohet me atë në Ukrainë. Kosova është nën mbrojtjen e KFOR-it me mandat të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB). Ky është ndryshimi më domethënës”, thekson Buhler.

Shea nga ana tjetër veçon problemin e integrimit të komunitetit serb në shoqërinë kosovare, veçanërisht në saje të një “fryme të re” që rrezikon të përhapet me shpejtësi, duke mbjellë jo vetëm mosbesim, por edhe forma të skajshme të militarizimit për vetëafirmim etnik dhe përforcimit të ndjenjës së rezistencës ndaj autoriteteve qendrore të Kosovës.

“Kjo është arsyeja pse Prishtina duhet të komunikojë në mënyrë efektive me komunitetin serb dhe t’i bindë ata se kanë një shtëpi dhe një shans shumë më të mirë për një të ardhme të begatë sesa t’i lejojnë vetes të jenë të instrumentalizuar dhe manipuluar nga Beogradi për qëllimet e veta politike. Pra, lufta kundër separatistëve etnikë duhet të bëhet edhe në nivel lokal dhe po aq në Mitrovicë sa në Mariupol”, përfundon Shea.

Derisa vazhdon lufta në Ukrainë, pasiguria do të jetë realitet i përhershëm, ndërsa përpjekjet për siguri kombëtare preokupim i vazhdueshëm i Kosovës. E arritja e kompromisit në dialogun Kosovë-Serbi do të kërkojë angazhimin e vazhdueshëm nga jashtë, presion të konsiderueshëm ndërkombëtar, nxitje politike e financiare dhe këmbëngulje të madhe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore