Lajme

Rizvanolli: Kriza energjetike pritet të vazhdojë deri në qershor


Ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli në “Fol hapur”.

Ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli, është shprehur se furnizimi i qytetarëve me energji elektrike nuk varet shumë nga eksporti, prandaj edhe nuk duhet të ketë vend për panik.

Rizvanolli në “Fol hapur”, debat i organizuar nga Lëvizja Fol shtoi se kriza energjetike pritet që të vazhdojë deri në qershor të viti të ardhshëm.

“Ne nuk mbështetemi krejt në eksport, nuk ka vend për panik, jemi në konsultim më të gjithë dhe po shohim çka po bëjnë edhe shtet të tjera. Ne nuk mund të prekemi aq shumë, dimrit importi rritet, kriza pritet të vazhdojë deri në qershor të vitit të ardhshëm”, tha Rizvanolli.

Ajo shtoi se prandaj edhe nuk duhet të ketë shqetësim sa i përket rritjes së çmimeve të energjisë elektrike.

“Sa më shumë që importojmë kjo do të reflektohet në tarifa gjatë vitit vijues. Të kursejmë energji, gjatë viti tjetër do të ketë ndikim, tarifat rishikohen në prill, t’i ikim ngrohjes me energji gjatë këtij dimri”.

Ndërsa, gjendja më e rëndë sipas saj është në ndërmarrjet publike, duke shtuar se ato janë shfrytëzuar nga grupet e ndryshme të interesit.

“Gjendja është tejet e rëndë nëpër ndërmarrje publike, ne i takojmë ata shumë shpesh dhe mund te them që është për keqardhje se si ata janë shfrytëzuar nga grupet e interesit. Ne do duhej të flisnim më shumë për këto ndërmarrje se si do mund t’i ndihmonim ata dhe jo për krimet brenda këtyre ndërmarrjeve”.

Ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli.

Tutje, tregoi edhe mbi keqpërdorimin e disa milionave që janë ndalur nga ministria e Ekonomisë.

“Kemi parandaluar keqpërdorimin e disa milionave dhe është e rëndësishme për mua që asnjë keqpërdorim të mos lejohet. Kam ndalur shpalljen e tenderëve të ri, ku kemi pasur disa raporte të auditimit që janë ngritur në hetuesi dhe nuk kemi parë që është ndërmarrë diçka”.

“Më është dashur që t’i ndal ato aktivitete. Kjo nuk është e mirë për neve dhe qytetarët, por që më mirë të punohet si duhet dhe të mos lejojmë më keqpërdorime”, u shpreh Rizvanolli.

Përveç kësaj, potencoi edhe tri fushat kryesore që do të financohen në të ardhmen nga MCC-ja.

“E para ka të bëjë me avancimin e rrjetit energjetik, dhe të linjave dhe pajisjeve, ndërsa fusha e dytë ka të bëjë me akumulimin e energjisë dhe investimi në bateri për rezerva. Fusha e tretë është zhvillimi i shkathtësisë së fuqisë punëtore”.

Për çështjen e gazit, gjatë debatit të organizuar nga Lëvizja Fol, sqaroi se bëhet fjalë për investime qindra milionëshe dhe do të ishte gjë e papërgjegjshme nëse Qeveria do të pranonte një projekt të tillë.

“Jemi duke folur për investime qindra milionëshe kur edhe Evropa nuk ka një qëndrim ndaj gazit, dhe jemi në një kohë kur termocentralet me gaz nuk janë duke u përdorur dhe janë duke u kryer me thëngjill për shkak të çmimit të gazit. Andaj për këtë arsye do ishte e papërgjegjshme nga ana jonë të bënim një veprim të tillë”.

Ajo u shpreh se edhe përdorimi i gazit natyror mund të ketë efikasitet, por që ka një kosto më të lartë.

“Përdorimi i gazit natyror mund të ketë një efikasitet në përdorim, por që nga ana tjetër ka kosto shumë të shtrenjtë dhe kostoja e prodhimit shkon tek tarifat e konsumatorëve, dhe kjo ka qenë ndër arsyet tona për mos realizim”.

Furnizimi i energjisë elektrike.

Drejtoresh e Lëvizjes “Fol”, Mexhide Demolli-Nimani e cila ka udhëhequr këtë debat, e pyeti ministren rreth privatizimit të KEDS-it dhe rrjetit të distribuimit, se a ka gjasa të rishikohet kjo kontratë.

“Ka shumë probleme që përpos privatizimit na shkaktojnë probleme. Ka shumë punë sikurse çdo kontratë që nënshkruhet. Është diçka që duhet të ndodh sepse varet zhvillimi i energjisë”.

Më 9 tetor, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka paralajmëruar se çmimet e energjisë mund të rriten me fillimin e sezonit të dimrit.

Ajo ka thënë se kriza energjetike në Evropë do ta afektojë edhe Kosovën.

Qytetarët duhet të përgatiten për një rritje eventuale të çmimeve të energjisë sepse, sipas ministres Rizvanolli, çmimi i energjisë elektrike për një Megavat për orë, prej 60 euro, sa kanë qenë para kësaj krize në Evropë, tani kanë arritur në mbi 100 euro, ndërsa aktualisht çmimet janë në mbi 200 euro për megavat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore