Lajme

Rizvanolli kërkon që të rriten investimet nga Kroacia në Kosovë


Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli është takuar me një delegacion të Qeverisë kroate në krye me ministrin për Ekonomi dhe Zhvillim të Qëndrueshëm Davor Filipoviç  dhe ambasadoren, Danijela Barisiç.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Rizvanolli ka thënë se ka kërkuar që të rriten investimet kroate në Kosovë.

“Gjatë takimit kemi diskutuar rreth mundësisë së investimeve në Republikën e Kosovës, veçanërisht në fushën e energjisë dhe TIK-ut, si dhe kemi këmbyer përvojat tona në përballje me krizën energjetike dhe inflacionin”.

Teksa ka shtuar se do të rritet bashkëpunimi edhe në sektorin ekonomik me shtetin kroat.

“Intensifikimi i marrëdhënieve bilaterale dhe forcimi i bashkëpunimit ekonomik me shtetet mike si Kroacia është tejet i rëndësishëm”.

 

Rizvanolli e ka uruar delegacionin kroat edhe për hyrjen në Eurozonë dhe Shengen, duke thënë se është “synim që edhe Republika e Kosovës synon ta arrijë në një të ardhme të afërt”.

Më 13 dhjetor, ministrja në një konferencë për media deklaroi se konsumi i energjisë elektrike gjatë këtij viti në Kosovë është ulur.

Kurse, shtoi se BE-ja i ka dhuruar Kosovës 75 milionë euro.

“75 milionë euro janë ndarë për Kosovën, rreth 43 euro për kokë banori. Ministria e Ekonomisë bashkë me institucionet tjera ka bashkëpunuar ngushtë me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, si rezultat i kësaj në mbledhjen e sotme të qeverisë kemi miratuar planin, ku janë gjashtë masa në total”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore