Lajme

BE-ja i dhuron Kosovës 75 milionë euro për krizën energjetike


Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli në një konferencë për media të martën ka deklaruar se konsumi i energjisë elektrike gjatë këtij viti në Kosovë është ulur.

Ajo ka thënë se gjatë muajit nëntor tek amvisëritë ka ulje të konsumit prej 15 për qind në krahasim me vitin e kaluar.

“Po flasim për dhjetëra milionë kursime si pasojë e kësaj. Para rreth një muaji, është vlerësuar se gjatë muajit të dimrit duhet të importohet 20 për qind energji elektrike. 300 milionë euro na duhen për të tejkaluar dimrin. Por si pasojë e kursimeve, parashikimet kanë ndryshuar”, ka thënë ajo gjatë një konference për media.

Ministrja në konferencë tregoi se BE-ja i ka dhuruar Kosovës 75 milionë euro.

“75 milionë euro janë ndarë për Kosovën, rreth 43 euro për kokë banori. Ministria e Ekonomisë bashkë me institucionet tjera ka bashkëpunuar ngushtë me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, si rezultat i kësaj në mbledhjen e sotme të qeverisë kemi miratuar planin, ku janë gjashtë masa në total”.

“E para është mbështetja e drejtpërdrejt për familjet në nevojë, e dyta është vazhdimi i masave për kursim të energjisë elektrike nga konsumatorët familjarë. E treta parasheh investime në efiçencë të energjisë dhe njësitet e banimit, siç është izolimi i jashtëm, ndërrimi i dyerve dhe dritareve etj”, tha ajo.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Rizvanolli, sqaroi se kjo ndihmë vjen pas rritjes së e çmimeve të energjisë të shkaktuar nga agresioni ushtarak i Rusisë në Ukrainë.

“Që nga nëntori kur është dhënë ky zotim, Ministria e Ekonomisë së bashku me institucionet tjera ka bashkëpunuar ngushtë me Zyrën e BE në Kosovë për hartimin e planit të veprimit dhe identifikimin e masave që mund të ndërmerren menjëherë për zbutjen e krizës te qytetarët dhe te bizneset”.

Me 8 shkurt, me pesë vota për dhe asnjë kundër, Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë, ka marr vendim shtrenjtimin e tarifës së energjisë elektrike për konsumatorët që shpenzojnë më shumë se 800 kW në muaj.

Ky propozim ka ardhur në mbledhje nga departamenti i tarifave si dhe është miratuar në mënyrë unanime.

“Ky bllok të zhvendoset në 800 kilovat orë. Struktura tani e re tarifore deri në 800 i inkurajon konsumatorët që t’i shfrytëzojnë dy tarifat. U ofron konsumatorëve që të shfrytëzojnë energjinë në mënyrë eficence me 5,9 cent kWh”.

Tutje, ZRRE ka sqaruar edhe tarifat për shpenzimin e energjisë elektrike mbi 800 kWh.

“Për ata që konsumojnë mbi 800 është tarifa e lartë prej 12 cent dhe tarifa e ulët 6 cent. Njëkohësisht edhe në deri 800 tarifa e ulët prej 3 cent dhe tarifa e lartë prej 7 cent”, është thënë nga Departamenti i tarifave në ZRRE.

Ndërsa, kanë bërë të ditur se rreth 20 për qind e tejkalojnë këtë bllok të konsumit tarifor.

Edhe më 16 nëntor, zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), ka marrë vendim që të gjobit KESCO-n me 8.4 milionë euro dhe KEDS-in me 2.7 milionë.

Ky vendim është marrë nga bordi i ZRRE-së në mbledhjen e mbajtur të mërkurën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore