Shqipëria

Rithemelimi hedh poshtë kërkesën e Elezit për shtyrjen e zgjedhjeve


Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale i Komisionit të Rithemelimit ka vendosur të rrëzojë kërkesën e kandidatit Ibsen Elezi për t’i shtyrë zgjedhjet për kryetarin e Partisë Demokratike (PD).

“Data e zgjedhjeve për Kryetar të PD-së është miratuar me Vendim Nr. 2 të Kuvendit Kombëtar të PD-së datë 30 prill 2022. Kuvendi Kombëtar është organi më i lartë vendimmarrës në PD. Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale do të vijojë punën e tij me përkushtim për të garantuar për secilin kandidat konkurrim të lirë, garë të hapur e shanse të barabarta”.

Në njoftim bëhet me dije se përfaqësuesit e kandidatëve u njohën me Rregulloren e Brendshme mbi Modalitetet e Procesit Zgjedhor për Kryetar të Partisë Demokratike të miratuar, që do të përbëjë dhe dokumentin bazë të Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale, degëve të Partisë Demokratike, si dhe kandidatëve për Kryetar PD.

Një ditë më parë, Elezi deklaroi se Komisioni i Rithemelimit i ka shkelur premtimet e dhëna gjatë kohës kur ish-kreu i kësaj force politike, Sali Berisha, mblidhte foltoret.

“Kuvendi i 11 dhjetorit ishte shprehje e vullnetit demokratik. Premtimet e foltores për vendosjen e debatit, barazi në garë, eliminimin e kryetarokracisë u shkelën”, ka thënë Elezi.

Sipas tij, kandidimi për kreun e PD-së është një detyrim për t’u përballur me fenomenet antidemokratike të të djathtëve.

Mbi këtë premisë, ai kërkoi që zgjedhjet të shtyhen me dy javë, për t’i lënë kohë dhe mundësi të kryejë fushatë.

“Si zgjidhje të kësaj situate do të mundohet të paraqes një platformë të thjeshtë që do të çonte PD në zgjidhje të krizës”, përmbylli ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore