Shqipëria

Risia e fundit digjitale, puna gjendet online


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka prezantuar atë që e ka quajtur një “risi tjetër digjitale”, Portalin Kombëtar të Punësimit, i cili do të jetë tërësisht digjital dhe do të kthehet në një vendtakim midis punëkërkuesve dhe punëdhënësve.

“Klasifikimi i profesioneve në këtë portal, bëhet sipas standardeve ndërkombëtare”, shpjegohet në një video ilustruese.

Kredencialet për të aksesuar faqen online, do të jenë të njëjtat me ato të portalit e-Albania.

Një dosje në formën e jetëshkrimit, mund të plotësohet në formularin fillestar. Këtu, përfshihen edhe profesionet e mëparshme, kategoritë punëkërkuese etj..

Ndër kategori filtrimi për të thjeshtuar kërkimin, mund të vendosen edhe paga, profesioni, kohëzgjatja e kontratës apo qyteti i kërkuar.

Punëdhënësit nga ana tjetër, duhet të qasen nëpërmjet numrit NIPT në portal. Kështu ata do të kenë mundësi të shfrytëzojnë një ndërfaqe tjetër, të përshtatur për bizneset.

Dosja plotësohet në këtë rast për kompaninë apo institucionin. Mbi përzgjedhjen e punëkërkuesve, kompanitë do të kenë mundësi filtrimi të kandidatëve dhe mundësi përzgjedhjeje të menjëhershme.

Të tjera oferta në program, janë edhe ato të programeve të nxitjes së punësimit, aplikimit të trajnimeve profesionale apo mundësive për kryerjen e praktikave profesionale.

Portali është i aksesueshëm dhe mbi 1 mijë e 700 oferta pune janë shfaqur në 65 qytete të Shqipërisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore