Lajme

Rishikimi (i vonuar) i buxhetit nga Qeveria e Kurtit


Kuvendi i Kosovës në fund të vitit 2020, kishte miratuar Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike që arrinte vlerën e 222 milionë eurove. Nga pakoja ekonomike e prezantuar menjëherë pas konfirmimit të rasteve të para me COVID-19 në Kosovë, qeveria i ka ndihmuar bizneset me një vlerë prej 180 milionë eurosh.

Qysh nga votimi i asaj pako, që në atë kohë ishte konsideruar emergjente, pasuan ndryshime politike dhe përkundër se situata me COVID-in ndryshoi, pakoja mbeti e njëjtë.

Vetëm të premten e 25 qershorit në mbledhjen e fundit të Qeverisë u prezantua nga Ministri i Financave, Hekuran Murati, një rishikim i buxhetit për këtë vit.

Murati vetë u shpreh i kënaqur. Tha se është optimist për një rimëkëmbje ekonomike dhe për bindjen e tij, ajo do të tejkalojë dëmin që u shkaktua nga pandemia COVID-19.

“Me këtë rishikim, si ministri i kemi ripërshtatur shifrat duke u bazuar në tregun aktual. Nga ky rishikim të hyrat do të rriten, buxheti është 2 miliardë e 500 mijë euro”, ka deklaruar ai.

Mirëpo, për deputetët dhe njohësit e çështjeve ekonomike, Qeveria e Kosovës është vonuar shumë me rishikimin e pakos për Rimëkëmbje Ekonomike.

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Beri Hamza, njëherësh edhe ish ministër i financave, në një prononcim për Albanian Post, ka thënë se duke qenë i aprovuar ligji dhe duke mos e zbatuar atë, qeveria aktuale e ka stërvonuar pakon e cila u del në ndihmë bizneseve.

“Rishikimi i buxhetit është i vonuar, gjë që tregon se qeveritarët e tanishëm janë të papërgatitur për të qeverisur”, është shprehur ai.

Sipas tij, deri më tani për qeverinë nuk ka qenë prioritet ekonomia dhe sektori privat.

“E dimë që sektori privat është dëmtuar rëndë nga pandemia. Sektori privat është neglizhuar, duke mos u përkrahur dhe sigurisht në mungesë të masave adekuate dhe ligjore edhe në zhvillim të reformave, rimëkëmbja ekonomike e Kosovës ka shkuar më ngadalë se sa që ka mundur të ndodhë sikur qeveria të ishte në nivel të përgjegjësive që i ka”, ka thënë Hamza.

Për deputetin e PDK-së, nuk ka as masa konkrete.

“Në program nuk thuhet fare se cilat janë politikat fiskale, a do të ketë tatime të reja, a do të ketë zvogëlim të tatimeve, a do të ketë norma të reja, cilat do të jenë lehtësimet për bizneset, cilat masa do të jenë më atraktive për investime të huaja direkte?”, ka thënë ndër tjerash ai.

Në anën tjetër, eksperti i fushës së ekonomisë, Safet Gërxhaliu, për Albanian Post pohon se në Kosovë “çdo ditë e më shumë po dominon agjenda politike”, duke lënë anash problemin e vërtetë – ekonominë.

“Për fat të keq problemet ekonomike dhe sociale po anashkalohen dhe ky është rreziku më i madh që po i kanoset Kosovës. E them këtë duke u bazuar edhe në vendet e rajonit, derisa disa prej tyre kanë bërë hapa shumë progresiv në mbështetje të bizneseve dhe në mbështetje të qytetarëve”, ka thënë ai.

Për Gërxhaliun, ish-kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, ka ardhur koha që të bëhet një prerje e qartë mes politikës dhe ekonomisë.

Shembujt, sipas tij, s’ka nevojë të kërkohen më larg se në rajon.

“Është koha kur prioritet i sektorit ekonomik duhet të jetë sektori privat dhe është koha kur duhet qytetari ta ndjejë dorën e shtetit se si ndihmohet”, është shprehur profesori i ekonomisë.

Nëse vendeve të rajonit u duhen dy apo tre vjet për rimëkëmbje, sipas Gërxhaliut Kosovës do t’i duhet dyfishi.

“Kosova nuk e ka këtë komoditet, sepse më vonë mund të ballafaqohet edhe me pandemi ekonomike dhe sociale”, shtoi ai.

Pakoja e re ekonomikeduhet të ketë një qasje gjithëpërfshirëse dhe jo selektive, duhet t’i targetojë bizneset e vogla dhe të mesme, bizneset familjare dhe gratë në biznese”.

Derisa opozita e ekspert si Gërxhaliu ankohen, ministri i Financave shprehet shumë më optimist. Ai është i bindur që Kosova do të përjetojë një rritje të madhe ekonomike prej 7.9 për qind.

Po të realizohet prognozomi i Muratit, kjo do të përbënte rritjen më të madhe ekonomike në Kosovë qysh nga paslufta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore