Lajme

Rinisin gërmimet në Serbi, dyshohet për varreza masive


Shtavalj, Sienicë.

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, ka bërë të ditur se kanë rinisur gërmimet në lokacionin e quajtur Shtavalj, Sienicë në territorin e Serbisë, gërmime këto që kishin nisur edhe në maj të vitit 2021.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate për media nga Komisioni.

“Gërmimet e nisura në Maj të vitit 2021, me datë 08.11.2023, përkundër disa paqartësive që ekzistojnë, kanë rifilluar në lokacionin e quajtur Shtavalj, Sienicë, në territorin e Serbisë. Të pranishëm në këto gërmime, janë ekipet tona nga KQPZH dhe IML”, thuhet në komunikatën për media e komisionit.

Në sqarim është thënë se gërmimet kanë nisur pas dy vitesh kërkesa e takime në mes të nëngrupeve punuese të Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuara nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq.

“Lokacioni Shtavalj, është vetëm njëri nga lokacionet e shumta që Kosova prezantuar si varreza të mundshme masive në Serbi, dhe që në vazhdimësi ka bërë kërkesë për të marrë informacione kredibile dhe për të vazhduar me gërmimet”.

Me qellim të ruajtjes së procesit, për detajet tjera komisioni ka thënë se do të njoftojë në momentin e parë që mund të ketë gjetje në atë lokacion.

Më 9 nëntor, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka njoftuar se gjatë gërmimeve që kanë bërë në fshatin Prekaz të Skenderajt, kanë hasur në mbetje mortore/eshtra, të cilat dyshohet se mund të jenë të personave të zhdukur gjatë luftës.

Çështja e personave të zhdukur është ngritur edhe në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në vitin 2020, por që nuk ka pasur ndonjë progres konkret.

Gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999 rreth 13 mijë njerëz nga të gjitha bashkësitë etnike u vranë, mbi 800 mijë u zhvendosën dhe rreth 1 mijë e 600 janë të zhdukur.

Qindra trupa të shqiptarëve të vrarë të Kosovës janë gjetur në varreza masive në Serbi.

Deri më tani nga Serbia në Kosovë janë kthyer rreth 1 mijë mbetje mortore

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore