Shqipëria

Ricky Martin: Bëhuni gati për të kërcyer, do të jetë fantastike


Ricky Martin ka mbërritur në Tiranë për t’u përgatitur për koncertin e 20 korrikut në Sheshin Skënderbej.

“Sapo kam mbërritur në Tiranë. Jam shumë i lumtur që jam këtu sepse kam një koncert të madh në sheshin Skënderbej në 20 korrik”, ka thënë ai në një videomesazh drejtuar publikut shqiptar.

Ai parashikon një festë fantastike dhe uron që të shihet sa më shpejt me ata që do të jenë në koncert.

“Dua të gjithë të jeni aty dhe bëhuni gati për të kërcyer, pasi do të jetë shumë fantastike. Uroj ta shijoni dhe shihemi së shpejti”, ka shtuar këngëtari i njohur.

Martin, një nga yjet më të mëdhenj të popit në planet gjatë fundit të viteve ’90, do të performojë në Tiranë më 20 korrik.

Këngëtari dhe aktori portorikan është quajtur “Mbreti i pop-it latin” dhe është një nga artistët me më shumë albume të shitur në botë.

Ai e filloi karrierën e tij duke u shfaqur në reklama televizive në moshën 9-vjeçare dhe filloi të performojë muzikë në moshën 12-vjeçare, si anëtar i grupit të djemve porto-rikane Menudo.

Martin e filloi karrierën e tij solo në vitin 1991 dhe në fund të dekadës ishte bërë një yll ndërkombëtar falë hiteve, duke përfshirë “She Bangs”, “Livin” La Vida Loca”, “Nobody Wants to Be Lonely” dhe “Private Emotion”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore