Sport

Richarlison përfundon në radarin e Real Madrid-it


Sulmuesi i Tottenham-it, Richarlison, ka përfunduar në radarin e Real Madrid-it.

“Mbretërit” synojnë të përforcohen në repartin e sulmit për sezonin e ardhshëm, andaj braziliani është objektiv i tyre në këtë afat kalimtar veror.

Karim Benzema vijon të mbetet zgjedhja e parë për Los Blancos, megjithatë mosha nuk premton më të njëjtën energji si në vitet e kaluara, shto këtu edhe problemet fizike që e kanë shoqëruar së fundmi francezin.

Trajneri i Real-it, Carlo Ancelotti, që konfirmoi se do të qëndrojë të paktën edhe për një sezon me “Los Blancos”, thuhet se u ka kërkuar drejtuesve të klubit që ta sjellin Richarlison-in në skuadër.

Zgjedhja e Ancelotti-t nuk është e rastësishme pasi me brazilianin ka bashkëpunuar tek Everton-i dhe marrëdhënia me 26-vjeçarin duket se mbetet korrekte.

Richarlison ka një kontratë që e lidh me Tottenham deri në vitin 2027, por aventura e tij në Londër nuk po shkon edhe aq mirë dhe nisja e një eksperience të re jashtë Anglisë mund ta “josh” edhe më shumë sulmuesin.

Nga ana tjetër, Richarlison do të gjente në Madrid edhe shumë miq të kombëtares braziliane si Vinicius Junior, Rodrygo dhe Militao.

Një fakt që do t’ia lehtësonte jashtë mase adaptimin në futbollin spanjoll, pa harruar siç e përmendëm edhe më sipër “njohjen e vjetër” me trajnerin Ancelotti.

Kujtojmë që Richarlison u transferua me shumë bujë në verën e kaluar nga Everton-i në Tottenham për shumën e 58 milionë eurove.

Megjithatë, ai shënoi vetëm tre gola dhe dhuroi katër asistime me fanellën e klubit londinez.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore