Lajme

Rezoluta e PE-së është “shuplakë” për Vuçiçin, thotë Kamberi


Shaip Kamberi

Shaip Kamberi, deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, deklaroi të enjten se miratimi i rezolutës së Parlamentit Evropian (PE) mbi procesin zgjedhor në Serbi është “shuplakë” për presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, ndërsa përmendi edhe pikën 10 të rezolutës së PE-së, ku shprehet shqetësimi i eurodeputetëve për pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Serbi.

“PE-ja i jep shuplakë Serbisë së Vuçiçit”, shkroi Kamberi në “Facebook” të enjten, duke shpërndarë pikat kryesore të rezolutës së miratuar me shumicë absolute prej 461 eurodeputetëve gjatë seancës pleanre të 8 shkurtit në Strasburg të Francës mbi zgjedhjet e kontestuara parlamentare, lokale dhe krahinore të Serbisë të mbajtura më 17 dhjetor 2023.

Deputetët e PE-së, përveçse kërkuan hetime të pavarura ndërkombëtare për parregullsitë që janë raportuar gjatë zgjedhjeve të fundit në Serbi, kërkuan nga Komisioni Evropian (KE) edhe pezullimin e fondeve të Bashkimit Evropian (BE) për Serbinë në rast se vërtetohet përfshirja e drejtëpërdrejtë e autoriteve serbe në vjedhjen e votave, veçanërisht në Beograd.

Në rezolutën e hartuar nga grupet politike, posaçërisht nga eurodeputetët e Partisë Popullore Evropiane (EPP) dhe Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve (S&D), shprehet keqardhje e madhe për faktin se Serbia nuk siguroi zhvillimin e zgjedhjeve sipas standardeve dhe normave ndërkombëtare, veçanërisht nga një vend kandidat për anëtarësim në BE.

Perspektiva e demokracisë në Serbi mbetet e paqartë. Në Serbi nisi një valë e protestave të opozitës nga vera e vitit të kaluar dhe kulmuan pas zgjedhjeve të 17 dhjetorit, për shkak të parregullsive serioze e rasteve të frikësimit, përfshirë edhe blerjen e votave nga Partia Progresive Serbe (SNS) në pushtet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore