Shqipëria

Revolucioni i PD-së përballë Parlamentit sërish, me një doktor “të sëmurë”


Sërish e enjte, sërish Parlament, sërish…protestë “revolucionare” e Partisë Demokratike.

Është kjo skema e krijuar tashmë nga opozita shqiptare, e drejtuar nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili ka bërë thirrjen e radhës për të organizuar një tubim përballë Parlamentit të Shqipërisë, në kundërshti të Qeverisë shqiptare dhe nën moton e rrëzimit të kësaj Qeverie.

Një mënyrë kjo edhe për të anashkaluar faktin se një pjesë e madhe e deputetëve të opozitës, aktualisht janë të përjashtuar nga pjesëmarrja në seancat plenare dhe nuk u lejohet të marrin pjesë në punimet e Kuvendit.

Kështu, për të tretën herë brenda dy javëve, në rrugën përballë Parlamentit, do të vendoset një skenë e improvizuar si një foltore e sallës së seancave plenare.

Megjithatë, në dy tubimet e para, ajo veçse për “revolucion” nuk ka shërbyer, ku më së shumti ka ngjarë si një skenë nga ku vetë lideri i të djathtëve, Berisha, mund të mbrojë legjitimitetin e tij në krye të partisë.

Për dy orë zgjati ajo e fundit, më 16 shkurt dhe u përmbyll në çastin kur Berisha, doli nga salla e Parlamentit dhe mori fjalën përballë të paktëve militantë, që ishin mbledhur aty për të.

Objekti i diskursit të tij ishte “bunkerizimi” i Parlamentit nga ana e shumicës dhe “revolucioni” i pritshëm i PD-së, i cili sikundër në protestën kombëtare të 11 shkurtit, ashtu edhe në atë të mëpasshme të 13 shkurtit e më tej të 16 shkurtit, është “shtyrë për demonstratën e radhës”.

Vetë Berisha madje, çdo herë e ka thënë se revolucioni i pretenduar nuk është thjesht i PD-së, por “një lëvizje e fuqishme shqiptare”.

Mirëpo kjo e fundit, nuk është dukur ende, as në horizontin më të largët.

Do të jetë e treta e vërteta përballë Parlamentit e duhura?

Kjo duhet parë, kur tubimi të nisë në orën 10:00, siç është parashikuar edhe zhvillimi i seancës plenare, ku gjysma e Grupit Parlamentar të PD-së mungon prej “kartonëve të kuq” të marrë në seanca të ndryshme.

Veçse i qartë deri tani, është fakti se ato nuk i kanë përkitur qytetarëve dhe “revolucionit”, por vetë Berishës, me pak ngjasë për të ndryshuar rrjedhë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore