Shqipëria

“Revolucioni” Berisha-Meta u shfry si tullumbace para PS-së, thotë Gjiknuri


“Revolucioni” Berisha-Meta siç nisi i dëshpëruar nga bulevardi, u shfry si tullumbace në oborrin e Partisë Socialiste.

Ky ishte komenti i sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, pas mbajtjes së protestës së thirrur nga lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Gjiknuri në median e tij sociale Twitter e ka cilësuar “tullumbace e shfryrë” mitingun blu që përfundoi pikërisht përpara selisë rozë.

Protesta e 11 shkurtit ishte manifestimi i radhës se foltorja e opozitës së bashkuar (ose jo) i përket kryetarit të Partisë Demokratike Sali Berisha.

1 orë e gjysmë fjalime përpara Kryeministrisë dhe gjysmë ore ecejake e kryedemokratit në tre ose katër institucione shtetërore.

Marshimi i tij i lirisë në një kuptim ose në një tjetër identifikohet me drejtimin e protestës dhe frerët e opozitarizmit në Shqipëri.

Por asnjë fjalë të vetme nga grupimi i Alibeajt, përpos pranive në heshtje të deputeteve Jorida Tabaku dhe Dhurata Çupi.

Shumë pak për një front aq të zëshëm dhe asfiksues sa i deputetëve të të dyja grupimeve në Kuvendin e Shqipërisë.

Pikërisht përpara parlamentit pritet të zhvendoset protesta “e të përjashtuarve” të hënën e 13 shkurtit në orën 17:00.

Nëse do t’i konsiderojmë hedhjet e mjeteve piroteknike si incidente të izoluara, atëherë kjo ishte protesta e radhës “paqësore” e demokratëve.

E gjitha u përmbyll brenda pak orësh duke lënë të hapur mundësinë se “nisja e revolucionit” ishte 11 shkurti, vazhdimi i saj do të jetë protesta e radhës.

Terreni dëshmoi se ky bashkim mbetet i sforcuar dhe i pazakontë ndërkohë që të dyja grupimet kanë nxjerrë kandidatët respektivë për zgjedhjet vendore të 14 majit.

Opozitë e (pa)bashkuar, foltorja mbetet ekskluzivitet i Berishës

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore