Lajme

Restoranti i Salt Bae me çmime astronomike, por punëtorët i kërkon me paga minimale


Nusret Gokce, i njohur gjithashtu si Salt Bae

Nusret Gokce, i njohur gjithashtu si Salt Bae, po punëson një kuzhinier të ri, i cili do të paguhet 16 dollarë në orë, për të prodhuar artikuj të shtrenjtë të menus, si biftekët Golden Giant Tomahawk, që kushtojnë 1 mijë e 975 dollarë.

Kuzhinieri i famshëm është në kërkim të një Chef de Partie – është një kuzhinier përgjegjës për një zonë të caktuar prodhimi në një restorant – për restoranin e tij të famshëm në Londër, Nusr-Et, dhe i ofron vetëm 16 deri në 18 dollarë në orë, plus bakshishe, për shërbimin e tyre.

Sipas Daily Mail, kjo pagë është e barabartë me një pjesë të patateve ose misrit të ëmbël në restorantin e tij.

Puna është postuar në caterer.com dhe vë në dukje se restoranti “ofron një pagë shumë konkurruese”.

“Mundësi e mahnitshme për një shef me përvojë De Partie për t’iu bashkuar ekipit të Nusret në restorantin e ri në Londër”, thuhej në postim. “Si një kuzhinier De Partie, ju do të punoni me disa nga përbërësit më të mirë nga Britania e Madhe dhe jashtë saj, në një nga steakhouset më të famshme në botë”.

Tutje vazhdon, “Ju do të luani një rol jetik në një ekip të madh dhe do të mbështesni shefin e kuzhinës gjatë shërbimit. Kandidatit të suksesshëm, Nusret London i ofron një pagë shumë konkurruese dhe mundësi të shkëlqyera për të zhvilluar një karrierë globale”.

Nusr-Et London në Knightsbridge ofron një burger të artë për 136 dollarë dhe  kafe të artë për 681 dollarë.

Pas hapjes në shtator, Nusr-Et London në Knightsbridge, u kritikua shumë për çmimet e tij të egra, të cilat përfshijnë ëmbëlsirat 34 dollarë, pije 12 dollarë, një burger të artë për 136 dollarë, Golden Giant Striplion për 1 mijë e 839 dollarë dhe kafe e artë për 681 dollarë.

Gokce, 38 vjeç, u bë viral në vitin 2017 kur u shfaq një video e tij duke hedhur në mënyrë të jashtëzakonshme kripë në një fetë biftek. Restauratori ka rritur markën e tij me 38 milionë ndjekës të mediave sociale dhe ka hapur 17 restorante në të gjithë globin.

Në gusht, Gokce dhe zinxhiri i tij i biftekëve u paditën nga punonjësit për shkak të pageses. Pesë burra të skarës ngritën padinë në qytetin e Nju Jorkut dhe pretenduan se Gokce u refuzoi atyre pagesën jashtë orarit. Secili nga burrat pretendoi se merrnin një pagë javore prej 1 mijë e 125 dollarë dhe punonin mbi 70 orë në shtatë ditë.

Padia pretendonte se burrat e skarës kryenin detyra të tjera të rëndomta si: “heqja e mbeturinave, larja e enëve, pastrimi i kapakut të sobave, pastrimi i tualetit, përgatitja e vakteve speciale për menaxherët dhe Gokce kur ai ishte i pranishëm dhe kryenin detyra dhe blinin produkte kur kishte mungesa në restorante”.

Për Salt Bae nuk ishte padia e parë, edhe në prill, ai u godit me një padi prej 5 milionë dollarësh për shkeljen e të drejtave të autorit nga artisti i Brooklyn-it, William Hicks, i cili pretendoi se shefi i kuzhinës vodhi veprat e tij artistike dhe i përdori ato pa leje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore