Lajme

Restaurimi i tri kishave ortodokse, Kurti: Partneriteti me BE-në dhe UNDP-në po jep rezultate të prekshme


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, pas restaurimit në tri kisha dhe manastire ortodokse, ka thënë se partneriteti me Bashkimin Evropian dhe Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) po jep “rezultate të prekshme” në fushën e trashëgimisë kulturore dhe fetare.

“Manastiri i Qelisë (Burgut) dhe Kisha e Dëftimit të Shën Mërisë në Kamenicë dhe Manastiri i Dragancës në Novobërdë, pas ndërhyrjeve që janë financuar nga BE-ja, do të vazhdojnë t’u shërbejnë besimtarëve ortodoksë, komunitetit të gjerë dhe turistëve”, ka shkruar kryeministri Kurti në llogarinë e tij.

Ndër të tjera, kreu i ekzekutivit kosovar, ka garantuar se do të vazhdoj të angazhohet për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim e diskriminim, ndërsa ka shtuar se harmonia ndërmjet komuniteteve etnike e fetare, si vlerë dalluese e shoqërisë kosovare, është zotim dhe përkushtim i përhershëm i qeverisë së tij.

“Trashëgimia kulturore është ndër mjetet më efektive për afrim e bashkëpunim mes popujve. Prandaj, investimet tona në mbrojtjen dhe funksionalizimin e monumenteve do të jenë të vazhdueshme”, ka shkruar mes tjerash kryeministri Kurti.

Trashëgimia kulturore dhe fetare në Kosovë garantohet me kushtetutë. Dispozita të veçanta parashihen për mbrojtjen e trashigimisë fetare serbe të cilat i ka paraparë në planin e tij edhe ish-kryeministri finlandez, Martti Ahtisaari, me anë të të cilit Kosova erdhi deri te pavarësia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore