Lajme

Reshjet e dendura rrisin prurjet në Kaskadën e Drinit


Koorporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) nëpërmjet një njoftimi ka bërë me dije se reshjet që përfshinë vendin, përgjatë 24 orëve të fundit, kanë rritur ndjeshëm prurjet në Kaskadën e Drinit.

Kështu, rezerva energjetike u rrit me 21 GWh, duke shkuar 461 GWh, nga 440 GWh që ishte më 15 shtator, ndërsa prodhimi nga Kaskada është rreth 5 mijë MWh.

“Rritja e prurjeve ka filluar orët e para të mëngjesit si rezultat i reshjeve të rëna me intensitet shumë të lartë. Konkretisht për 8-orë janë regjistruar në Fierzë 296 mm reshje, në Zogaj 213 mm, në Dragobi 43 mm dhe në Theth 62 mm”, njofton KESH.

Sipas tij, bazuar në rezultatet e fundit të modeleve numerike të parashikimit të motit gjatë ditës së sotme parashikohet të bjerë mesatarisht edhe rreth 50-70 mm reshje shiu, deri në orët e mbrëmjes.

“Për këtë arsye, kompania mori masa që nga data 11 shtator, duke ndaluar plotësisht prodhimin nga HEC-i i Fierzës, duke ulur nivelin e HEC-it të Komanit në 165.97 m dhe Vaut të Dejës në 72.65 m, përpara nisjes së reshjeve me qëllim përpunimin e prurjeve anësore në Koman dhe Vaun e Dejës, si dhe krijimit të një rezerve hidrike në Fierzë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore