Shqipëria

Republikanët kërkojnë informacion nga FBI-ja për McGonigal-in


Komiteti Gjyqësor i Dhomës së Përfaqësuesve të udhëhequr nga Republikanët po kërkon informacion nga FBI-ja në lidhje me Charles McGonigal, ish-zyrtar i lartë i kundërzbulimit në zyrën e New York-ut.

Ky i fundit, u akuzua javën e kaluar për shkelje të sanksioneve të SHBA-ve ndaj Rusisë dhe vepra të tjera të bashkëlidhura.

Lajmi u bë i ditur nga transmetuesi amerikan “CBS News”.

Kryetari i Komitetit Gjyqësor Jim Jordan, një republikan i Ohio-s, dhe deputeti Matt Gaetz, një republikan nga Florida, i shkruan një letër drejtorit të FBI-së Chris Wray të enjten duke kërkuar materiale dhe informacione për McGonigal si pjesë e një hetimi mbi akuzat për paragjykime politike në byro.

Republikanët po kërkojnë gjithashtu një konferencë për të diskutuar hetimin e FBI-së për McGonigal, duke përfshirë nëse byroja po ndërmerr ndonjë rishikim për të përcaktuar se si Rusia dhe oligarkët e saj ishin në gjendje të ndikonin zyrtarët e lartë të FBI-së.

Jordan dhe Gaetz vendosën një afat deri më 16 shkurt që Wray të përgjigjej. Byroja tha se e mori letrën, por nuk kishte asnjë koment shtesë.

McGonigal, 54 vjeç, ishte së fundmi agjenti special i ngarkuar me Divizionin e Kundërzbulimit të FBI-së në New York dhe u tërhoq nga zyra në vitin 2018 pas një karriere 22-vjeçare.

Një aktakuzë me pesë pika të zbuluara në gjykatën federale në New York javën e kaluar akuzoi McGonigal se punonte për Oleg Deripaska, një manjat rus i aluminit me lidhje me presidentin rus Vladimir Putin.

Deripaska ka qenë i sanksionuar nga autoritetet amerikane që nga viti 2018 dhe prokurorët federalë pretendojnë se McGonigal dhe Sergey Shestakov, një ish-diplomat rus që u bë shtetas amerikan, punuan për Deripaska-n për të hetuar një oligark rival rus të paidentifikuar në vitin 2021.

McGonigal po përballet gjithashtu me akuza federale në Washington, D.C., në lidhje me të paktën 225 mijë dollarë para të gatshme që ai dyshohet se ka marrë nga një person me interesa biznesi në Evropë dhe që ka punuar për një shërbim të huaj inteligjence.

Ai u deklarua i pafajshëm për akuzat si në New York ashtu edhe në Washington.

“Kjo sjellje e pahijshme gërryen më tej besimin e publikut në sjelljen e FBI-së dhe veprimet e zbatimit të ligjit”, i shkruan Jordan dhe Gaetz – Wray-it.

Jordan dhe Gaetz kanë kërkuar që Wray t’i dorëzojë komitetit të gjitha të dhënat e personelit në lidhje me McGonigal; dokumente dhe komunikime “që i referohen ose lidhen me procesin e FBI-së për vlerësimin dhe përgjigjen ndaj hetimit” në lidhje me McGonigal; dhe materiale në lidhje me përpjekjet e FBI-së për të zbutur rreziqet e sigurisë kombëtare të paraqitura nga veprimet e supozuara të McGonigal.

Çfarë ndodhi

McGonigal rezulton të jetë takuar më parë edhe me kryeministrin shqiptar, Edi Rama dhe kjo gjë sipas demokratëve, duhet hetuar.

Kërkesa ka ardhur nga 12 deputetë të PD-së dhe ajo përmbante tre pika.

E para, lidhej me ndryshimin e rendit të ditës, sa i përket seancës të së enjtes.

E dyta, me përfshirjen e debatit për McGonigal dhe e treta, që minutazhi në këtë diskutim të jetë pa limit kohor.

“Në padinë e ngritur ndaj McGonigal pranë Gjykatës së Distriktit të Columbias (Washington), renditen një sërë faktesh, që lidhen me të paktën pesë takime të fshehta të zhvilluara mes Kryeministrit Rama dhe ish-zyrtarit amerikan”.

Kështu shkruhet në shqetësimin e ngritur nga deputetët demokratë dhe për shkak të vëmendjes së madhe mediatike dhe politike që çështja ka marrë, është kërkuar kësisoj edhe mocioni me debat.

Disa ditë më parë, ishte numri një i selisë blu, Sali Berisha, ai i cili mbajti një qëndrim të radhës mbi çështjen e Charles McGonigal, duke thënë se si ish-zyrtari i lartë i FBI-së, ka edhe të tjerë në SHBA dhe Evropë.

Po ashtu, ai rezulton se ka pasur edhe takime të mëparshme me kryeministrin Edi Rama, por ky i fundit nuk është i implikuar në veprimtarinë që McGonigal ka ushtruar më parë në Shqipëri dhe vende të tjera.

Berisha gjithsesi, e ka akuzuar kreun e Qeverisë shqiptare, se me McGonigal, Rama ka pasur si qëllim asgjësimin e opozitës shqiptare.

“McGonigal u përdor gjithashtu dhe për afera korruptive të tjera, për licenca. Ai u shpërblye me 225 mijë dollarë thuhet në dokument, me 500 mijë dollarë nga një bakë e Qipros dhe me miliona thuhet gjerësisht”, shtoi më tej numri një i bluve.

McGonigal, u hetua fillimisht, më pas arrestua e më tej ende u lirua dhe po gjykohet në liri me kusht, lidhur me deklarime të rreme, falsifikim dokumentesh dhe lidhjet me oligarkun Oleg Deripaska.

Në Shqipëri gjithsesi, edhe pse akuzohet për lidhje me kryeministrin Rama, McGonigal e daton aktivitetin prej vitit 2007, kur në pushtet ishte asokohe Partia Demokratike dhe në krye të Qeverisë, Sali Berisha.

Ai figuron si administrator i një kompanie (LAWOFFICE & INVESTIGATION), e cila është themeluar në vitin 2007, kohë kjo kur si kryeministër i vendit, shërbente kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Kjo kompani, me status momental rezulton si e pezulluar në vitin 2019.

Ajo ka si aksionerë shtetasin Shefqet Dizdari, me 25% të aksioneve, vetë McGonigal-in, shtetasin amerikan Mark Thomas Rossini, i cili po ashtu ka qenë një ish-agjent i FBI-së dhe Agron Nezajn.

Ky i fundit është akuzuar ndërkohë si ndërmjet i Ramës me ish-zyrtarin e lartë amerikan.

Mirëpo, një akuzë të tillë, është mohuar nga vetë Rama, i cili reagoi mbi çështjen dhe tha se përveçse me McGonigal-in kishte thjesht lidhje me miqësore, edhe me Nezajn, nuk ka folur asnjëherë për çështje biznesi, por ka pasur takime miqësore dhe krejtësisht pa interes.

Madje, ai e ka përforcuar këtë, duke thënë se Neza vjen nga Lëvizja Demokratike dhe ka qenë person shumë i afërt me Azem Hajdarin, duke lënë të kuptohet se nuk ka lidhje për çështje biznesi me të.

Vetë Neza, përmendet në dosjen e McGonigal si “Personi A” dhe përshkruhet si ish-funksionar i Shërbimeve Inteligjente shqiptare.

Thënë kjo, vetë Rama nuk e ka mohuar njohjen me amerikanin dhe takimet me të, të cilat kanë qenë krejtësisht miqësore dhe nuk ka pasur detyrim për t’i deklaruar.

Por, vetë McGonigal, i cili e ka pasur një detyrim për t’i deklaruar ato, nuk e ka bërë kurrë këtë gjë. Një skenar të tillë, e ka zbatuar edhe me politikanë të tjerë në Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, apo deri edhe në Austri.

Teksa, për hapjen e biznesit në kohën kur Berisha ka qenë kryeministër, nuk ka asnjë të dhënë paraprake se si ata të dy mundet apo jo të jenë të lidhur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore