Lajme

Republikanët e Demokratët në Senat: Dështimi për uljen e tensioneve në veri rrezikon pa nevojë marrëdhëniet me Perëndimin


Senati i Shteteve të Bashkuara

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, duhet t’i dëgjojnë thirrjet e bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për qetësimin e situatës në veri të Kosovës, përndryshe të dyja palët do të përballen me pasoja dhe rrezikim të panevojshëm të marrëdhënieve me Perëndimin.

Kështu thuhet në një deklaratë të përbashkët të senatorëve amerikanë – demokratë dhe republikanë – Jeanne Shaheen, Chris Murphy, Chris Van Hollen, Ben Cardin, Thom Tillis dhe Pete Ricketts, lidhur me gjendjen aktuale politike dhe të sigurisë në pjesën veriore të Kosovës.
 
“Si ligjvënës amerikanë, përtej linjave partiake, jemi gjithnjë e më të shqetësuar nga situata e brishtë e sigurisë në veri të Kosovës. Sot, ne përsërisim se ka mbështetje të gjerë dypartiake në Senatin amerikan për përpjekjet e Bashkimit Evropian, në koordinim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara, për të ndërmjetësuar një rrugë përpara”.
 
Senatorët amerikanë kanë thënë se në mënyrë që një zgjidhje të jetë e qëndrueshme, të dy liderët politikë – kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiç – duhet të angazhohen për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit, përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.
 
Ndërkaq, senatorët amerikanë kanë nxitur dy liderët ballkanit që t’i konsiderojnë mirë hapat e tyre të ardhshëm, ngase dështimi për të qetësuar situatën në këtë pjesë të Kosovës të banuar me serbë etnikë, në mënyrë të panovojshme rrezikon marrëdhëniet e shteteve përkatëse me Perëndimin.
 
“Dështimi për të de-përshkallëzuar situatën do të shkaktonte pasoja nga Perëndimi, i cili ka punuar zellshëm për të mbështetur Kosovën dhe Serbinë në një rrugë përpara, dhe pa nevojë rrezikon të dobësojë marrëdhëniet tona dypalëshe. Kjo nuk është në interesin e askujt”.
 
“Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të punojnë në mirëbesim me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara për të gjetur një zgjidhje përpara dhe pa vonesë”, thuhet në deklaratën e senatorëve amerikanë.

Qetësimi i situatës në pjesën veriore të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja lokale dhe kthimi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi janë tri kërkesat e përbashkëta që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian ia kanë paraqitur kryeministrit Kurti, ndërsa përgjigjen e presin të premten.

Ekskluzive: Sanksione në dy faza, non-grata, bllokim fondesh e përjashtim nga organizata dhe kthim i Veriut nën protektorat të KFOR’it – të gjitha këto nëse Kurti thotë jo

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore