Kosova

Republika Srpska me rezolutë për “mbrojtjen e serbëve” nga Qeveria e Kosovës


Milorad Dodik

Kuvendi Kombëtar i Republikës Srpska në Bosnje e Hercegovinë, këtë të marte, do të shqyrtojë propozimin për një Rezolutë, siç po pretendojnë ata, “për mbrojtjen e serbëve në Kosovë dhe për integrimin territorial dhe sovranitetin e Serbisë”.

Rezoluta, e propozuar nga presidenti i Asamblesë Kombëtare të Republikës Srpska, Nenad Stevandiç, pretendon “të mirëpres të drejtën e Serbisë për të mbrojtur integritetin dhe sovranitetin e saj territorial, të garantuar nga e drejta ndërkombëtare dhe Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, si një e drejtë që askush nuk mund të kundërshtojë”.

“Rezoluta dënon gjithashtu ‘shkeljen’ e vazhdueshme të të drejtave të serbëve dhe joshqiptarëve të tjerë, veçanërisht të së drejtës për jetë dhe pronë, nga shqiptarët e Kosovës dhe autoritetet e tyre, dhe u bën thirrje përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare që ta dënojnë seriozisht”, raporton mediumi boshnjak, Sarajevo Times.

Ndryshe, tensionet janë kthyer në pjesën veriore të Kosovës, pas zgjedhjeve lokale të 23 prillit për katër kryetarët e komunave në veri të vendit – Leposaviq, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut – të cilat i fituan kandidatët shqiptarë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës.

Serbët lokalë janë duke protestuar që prej 29 majit në këto komuna të banuara me shumicë serbe, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në objektet komunale. Nga ana tjetër, komuniteti ndërkombëtar ka bërë thirrje të vazhdueshme për marrjen e hapave drejt uljes së tensioneve.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet tjera partnere të QUINT-it – Gjermania, Franca, Italia dhe Britania e Madhe – për tensionimin e situatës në veriun e vendit të banuar me serbë etnikë, fajtore e kanë bërë Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Albin Kurti.

Autoritetet e Kosovës kanë shprehur gatishmëri që t’i dëgjojë kërkesat e serbëve lokalë dhe të pajtohen për rizgjedhje në Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut, pas tensioneve të fundit atje. Por me kusht që serbët të mos i bojkotojnë ato si herën e fundit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore