Lajme

Repsol, në bisedime për të shitur 25% të njësisë së naftës dhe gazit


EIG Global Energy Partners është në diskutime me Repsol për të blerë një pjesë të biznesit të kërkimit dhe prodhimit të naftës dhe gazit të kompanisë spanjolle.

Kështu, fondi amerikan po kërkon të blejë deri në 25 për qind të biznesit të Repsol.

Kjo, në një marrëveshje që do t’i jepte grupit spanjoll para për planet e tij për të ndërtuar kapacitete të energjisë së pastër, si impiantet diellore.

Sakaq, burimet për “Reuters” nuk kanë dhënë një vlerë në të cilën do të bazohet blerja.

Por analistët kanë thënë se biznesi vlen midis 14 miliardë dhe 18 miliardë euro, duke përfshirë borxhin.

Kompanitë kanë nisur bisedimet pasi EIG bëri një ofertë të pakërkuar, sipas burimeve, të cilët nuk kanë pranuar të identifikohen sepse diskutimet ishin private.

Ata kanë thënë se bisedimet mund të zgjasin me muaj dhe se nuk kishte asnjë garanci se do të arrihet një marrëveshje.

Marrëveshja do t’i jepte Repsol fondet për të ndihmuar në arritjen e planeve për më shumë se dyfishimin e kapacitetit të prodhimit të energjisë me karbon të ulët deri në vitin 2025 në 7.5 gigavat.

“Shitja e një aksioni të biznesit do t’i lejonte Repsol të kristalizonte vlerën në një pikë të lartë të ciklit”, ka thënë një analist.

E gjitha pasi pushtimi rus i Ukrainës ka rritur çmimet e naftës dhe gazit, duke rritur kthimet për prodhuesit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore