Shqipëria

Rekord infektimesh me COVID-19/ 12 qytetarë humbin jetën


Gjatë 24 orëve të fundit 12 persona kanë humbur betejën me coronavirusin dhe ka pasur 1 mijë e 152 raste të reja, në Shqipëri.

Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS), shtatë qytetarë janë nga Tirana, një nga Durrësi, Fieri, Gjirokastra, Delvina dhe Kolonja. Këta persona i përkasin grupmoshës 58-86 vjeç.

Aktualisht në katër spitalet COVID janë duke u trajtuar 512 pacientë, ku ndër ata 30 ndodhen në terapi intensive nga të cilët 17 pacientë janë të intubuar. Janë kryer 3 mijë e 994 testime dhe janë shëruar 740 qytetarë.

Gjatë këtyre ditëve shihet një rritje e rasteve të reja.

Në një prononcim për Albanian Post, epidemiologu Dritan Ulqinaku, deklaroi se ka shumë gjasa që variantet e reja të virusit të kenë ardhur në Shqipëri.

“Teorikisht, mund të kemi vdekshmëri më të lartë nga varianti britanik i Covid-19 ose variantet e tjera. Gjithsesi, kjo mbetet për t’u parë”.

Sipas tij disa mostra të dyshuara si variant i ri i COVID, janë dërguar në laborator tashmë. Për përgjigjet ndërkohë, duhet pritur akoma.

Të mërkurën ministrja Ogerta Manastirliu, ka deklaruar se janë marrë masa të reja duke u vendosur ora policore 20:00-06:00. Kjo masë u shoqërua edhe me rritjen e gjobave për personat apo subjektet që shkelin ligjin.

Prandaj, Ministria ka bërë sërish apel që të vendoset maska, të shmangen grumbullimet, të ruhet distanca dhe të tregohet kujdes për higjienën vetjake.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore